Kaosi në Parlament drejt fundit? PS negociata me Bardhin, mund të pranohen disa nga kërkesat

Në seancën e sotme plenare, u dha një sinjal që kaosi që ka nisur që prej muajt tetor 2023 në Parlament nga Rithemelimi i Berishës, mund të shuhet brenda muajt mars. Sipas ”Report Tv”, prej disa ditësh Partia Socialiste dhe Gazment Bardhi po negociojnë për të arritur në një pikë që jeta parlamentare të rikthehet në shinat e duhur.

PS mund të pranojë disa prej Komisioneve Parlamentare të kërkuara prej opozitës dhe që janë 1 prej 3 kërkesave të bëra nga deputetët e drejtuar nga Gazment Bardhi.

Nga ana tjetër, kërkesa e Bardhit t’u njohur si kryetar i grupit të PD, të cilën maxhoranca ndonëse e ka lënë pa përgjigje, duket se në heshtje e ka pranuar, pasi e fton atë si kryetar të grupit në mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve apo në aktivitet e tjera parlamentare.

Më e vështira për t’u plotësuar është kërkesa që lidhet me bashkë-drejtimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku punën socialistët e vijojnë me Enkelejd Alibeajn e PD-së zyrtare ndërsa nuk kanë pranuar kërkesën e grupit të Rithemelimit për të zëvendësuar Alibeajn me Oerd Bylykbashin nga grupi i Rithemelimit.

SHKARKO APP