KAS rrëzon Berishën për zgjedhjet në Kukës, njeh Bashën si kryetar të PD
Këtë të enjte, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve vendosi të rrëzojë ankimimin e koalicionit ”Bashkë Fitojmë” të cilët kundërshtonin regjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kukësit.
KAS la kështu në fuqi vendimin e datës 4 shtator të Komisionerit Ilirjan Celibashi, i cili regjistroi Partinë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën për zgjedhjet e pjesshme të 24 shtatorit.
Celibashi njoftoi se Gjykata e Tiranës njeh për kryetar Bashën. Ai sqaroi edhe njëherë se në regjistrin e partive ekziston vetëm një PD, ku Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij janë ata që disponojnë vulën dhe logon.
Për zgjedhjet e Kukësit, Partia Socialiste kandidon me Albert Halilajn, koalicioni Bashkë Fitojmë kandidon me Emri Vatën, ndërsa PD-ja zyrtare, e drejtuar nga Lulzim Basha, nuk ka caktuar ende asnjë kandidat.
Po sot Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e PD-së duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së sa i takon ndarjes së anëtarëve të KZAZ-së për zgjedhjet në Kukës. Ndarja do të jetë: 3 komisionerë PS, 2 komisionerë PL dhe 1 PD.