KED i dërgon Presidentit dy emra për në Gjykatën Kushtetuese
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar dy emrat presidentit Ilir Meta për në Gjykatën Kushtetuese. KED i ka dërguar Metës emrat e Përparim Kalos dhe të Aleksandër Tomës.
“Në datën 23.12.2020, vijoi mbledhjen, sipas rendit të ditës së njoftuar në datë 22.12.2020, në lidhje me miratimin e vendimeve për kandidatët e lejuar dhe miratimin e raportit përkatës mbi listën përfundimtare të renditjes, i cili do t’i dërgohet më pas organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar, Z. Aleksandër Toma dhe Z. Përparim Kalo për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese vakancë e parakohshme,e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, rishpallur në datën 27.09.2019 dhe rishpallur në datën 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës. KED do t’i përcjellë këto akte brenda ditës së sotme, pranë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë”,- thuhet në njoftimin e KED.
Ndërkohë në KED ka nisur mbledhja për shqyrtimin e kandidaturës së Zhaklina Petos. Aktualisht Kushtetuesja ka 5 anëtarë nga 9 që duhet të ketë në total.