Kemi disa ‘plagë’ nga e kaluara të cilat duhet t’i trajtojmë me shumë kujdes

Gazeta  greke “Kathimerini” intervistë me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta

 

Si do i karakterizoni marrëdhëniet greko-shqiptare në këtë moment? Si ndjeheni pas takimeve që keni patur në Athinë?

 

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë marrëdhënie shekujsh miqësie, bashkëjetese paqësore dhe interaktive mes popullit shqiptar dhe grek në këtë rajon. Miqësia jonë e vjetër është kaq e lidhur ngushtë sa i tejkalon marrëdhëniet tradicionale shtetërore. Jam i kënaqur që kontaktet politike janë intensifikuar dhe ky ishte pikërisht qëllimi i vizitës sime, për të forcuar bashkëpunimin parlamentar me qëllim që të shtyjmë qeveritë respektive që të avancojnë në një fazë më dinamike bashkëpunimin dypalësh. Kjo ishte përshtypja pozitive që solla në Tiranë, përshtypja e një vullneti të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin tonë të gjithanshëm.

Pavarësisht krizës ekonomike dhe momenteve të vështira që kanë kaluar qytetarët grekë, Greqia mbetet një prej partnereve kryesorë tregtarë të Shqipërisë, ndërkohë që investimet greke luajnë një rol substancial në ekonominë tonë. Ne ndjehemi krenarë për kontributin domethënës të minoritetit grek në Shqipëri. Ndërkohë që Greqia ka pritur qindra mijëra shqiptarë në dy dekadat e fundit të cilët kontribuojnë tepër pozitivisht në ekonominë dhe shoqërinë greke.

Ne jemi dy vende anëtarë të NATO-s, dhe dy boshte stabiliteti në rajonin tonë. Ne ndajmë një rrugëtim të përbashkët euro-atlantik të cilin duhet ta ushqejmë dhe ta mirëmbajmë në interes të qytetarëve tanë. Besoj se vizita e delegacionit tonë parlamentar në Athinë ishte një tjetër ‘gur’ në urën që po ndërtojmë së bashku, për të avancuar drejt një stadi ‘vëllazëror’ të marrëdhënieve tona.

 

A mendoni se është e mundur të bëhet progres në një atmosferë akuzash publike? A e pengon atmosfera publike, veçanërisht sipas indikacioneve që ka një rilindje të axhendave nacionaliste nga ana shqiptare, përpjekjet për të shtyrë përpara një axhendë pozitive?

Siç diskutuam edhe gjatë takimeve tona me përfaqësuesit më të lartë të shtetit grek, të dyja palët janë dakord se marrëdhëniet tona janë strategjike, praktike dhe jetike. Vullneti pozitiv dhe një axhendë dinamike bashkëpunimi dominojnë marrëdhëniet tona. Por siç e përmenda edhe gjatë takimit me Kryeministrin Tsipras, kemi disa ‘plagë’ nga e kaluara të cilat duhet t’i trajtojmë me shumë kujdes dhe në mënyrë konstruktive, sepse një ‘plagë’ edhe kur e përkëdhel, lëndon! Duhet të ndalojmë tendencat, në të dy anët e kufirit, që përpiqen të spekulojnë dhe hedhin benzinë në zjarr duke përdorur çështje të së kaluarës për qëllime elektorale. Besoj se vullneti ekziston si në Tiranë, ashtu edhe në Athinë për të zgjidhur çdo çështje të mbetur nëpërmjet dialogut të hapur e transparent, përmes vullnetit të mirë, besimit të ndërsjellë, dhe përmes një përqasjeje konstruktive, ashtu siç bëjnë vendet evropiane. Dhe mund të them se pas vizitës sime në Athinë, unë shoh një dëshirë të sinqertë nga ana e qeverisë aktuale greke për të avancuar me zgjidhje të qëndrueshme dhe të dakordësuar bashkërisht për çështjet e të kaluarës. Kjo u pa qartë edhe gjatë takimit që patëm me përfaqësuesit e Demokracisë së Re dhe partive të tjera opozitare, me të cilët ramë dakord të krijojmë një klimë konstruktive në të dy vendet, në interes të bashkëpunimit të gjithanshëm greko-shqiptar.

 

Sipas jush, cilat janë çështjet e hapura me Greqinë?

Si fqinj të mirë është normale të kemi edhe disa çështje të hapura. Fqinjët janë si kushërinjtë e parë, ndajnë të njëjtin gjak, të njëjtën hapësirë, por kjo hapësirë të detyron njëkohësisht të zgjidhësh disa çështje me karakter praktik që unë i shoh më tepër si ‘fine tuning’. Dhe si dy vende ballkanike, kemi trashëguar disa çështje nga e kaluara. Për mua, e para ka të bëjë me Ligjin e Luftës, të cilin Greqia e mban ende në fuqi ndaj Shqipërisë. Ky ligj i pakuptimtë ka nevojë të abrogohet përmes një akti formal, akti që do të konfirmonte klimën ekzistuese pozitive mes dy vendeve tona. Mes dy fqinjëve të mirë dhe dy vendeve anëtarë të NATO-s nuk mund të ketë ‘Gjendje Lufte’. Ky është një paradoks! Çështja e dytë më e rëndësishme lidhet me historinë e të kaluarës sonë dhe mendoj se edhe nëse hapin plagë të së shkuarës, ne duhet t’i trajtojmë në mënyrë konstruktive, pragmatike dhe bashkëpunuese. Nuk ka asnjë çështje për të cilën ne nuk mund të diskutojmë si fqinj! Përballja me historinë, ashtu siç kanë bërë kombe të tjerë evropianë në të kaluarën, do të përgatiste terrenin e duhur për të gjetur zgjidhje për një sërë çështjesh që lidhen me varrezat greke në territorin shqiptar, tekstet e historisë, delimitimin e shelfit kontinental dhe patjetër me ‘Çështjen Çame’, për të cilën ne kemi qëndrime të kundërta dhe të ndryshme. Të gjitha këto çështje janë të trashëguara dhe shkaktojnë dhimbje në të dy anët e kufirit. Ne si Kuvend i Shqipërisë do të mbështesim shkëmbimet konstruktive e të sinqerta mes dy qeverive tona, të cilat duhet të punojnë për të gjetur zgjidhje praktike, pragmatike dhe “Win-Win”, duke lënë mënjanë çdo tendencë nacionaliste apo emocionale. Interesat tanë strategjikë duhet të prevalojnë mbi çështjet e trashëguara dhe e vetmja rrugë përpara është përmes dialogut, jo përmes manovrave oportuniste politike.

 A ndjehet vendi juaj i kërcënuar prej Greqisë?

Aspak! Ne ndjejmë se Greqia është një aleat dhe fqinj i mirë. Ne mbështetemi tek përkrahja e vazhdueshme e Qeverisë dhe Parlamentit tuaj për të avancuar axhendën tonë evropiane dhe ndjejmë se Greqia është një avokate e rëndësishme e Shqipërisë në BE. Kjo është pikërisht arsyeja përse në të gjithë takimet në Athinë mbajta vazhdimisht qëndrimin se ligji paradoksal i luftës nuk bën sens mes dy partnerëve miq, fqinj dhe anëtarë të NATO-s.

 

Përse nuk ka patur progres me çështjen e varrezave greke?

Kjo duhet të jetë pjesë e një pakete të përbashkët që trajton shqetësimet dhe çështjet e hapura për secilën palë. Të dy palët duhet të dëgjojnë, të evoluojnë dhe të diskutojnë profesionalisht dhe konstruktivisht. Parlamenti i Shqipërisë do të mbështesë progresin domethënës përmes këtij mekanizmi. Për sa i përket varrezave greke, jam i informuar se ekziston një komision i përbashkët ashtu siç është edhe për tekstet e historisë. Ata duhet t’i lëvizin gjërat përpara dhe ne si parlamente në të dy vendet kemi rënë dakord ta mbështesim punën e tyre.

 

Ka ankesa në rritje dhe raportime nga minoriteti grek në Jug të Shqipërisë mbi dhunime të të drejtave të pronësisë në zonat e tyre. Si mund të mbrohen këto të drejta? A nuk e bën perspektiva evropiane e vendit tuaj të detyrueshme që ju t’i trajtoni këto çështje?

Nuk besoj se ka ndonjë dhunim të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Kjo është thjesht e pavërtetë dhe e pambështetur, siç ka qenë edhe në të kaluarën subjekt i spekulimeve. Çështja e të drejtave pronësore prek shumicën e qytetarëve shqiptarë, përfshirë ata të minoritetit grek, sepse ky është një prej problemeve më komplekse dhe të trashëguar nga regjimi komunist në Shqipëri.

Është edhe shqetësimi ynë si politikanë, sepse të drejtat e pronësisë afektojnë investimet e huaja në vend. Por jam dakord me ju se më tepër vëmendje i duhet kushtuar çështjes së pronësisë të të gjithë qytetarëve, në të dy anët e kufirit, si një çështje bazike praktike dhe e të drejtave të njeriut.

 

Si mendoni se projekti TAP do të ndryshojë rajonin dhe marrëdhëniet në rajon në të ardhmen?

TAP është shumë i rëndësishëm për vendet tona, për rajonin tonë dhe patjetër për tërë sigurinë energjetike të Evropës. Ne kemi bashkëpunim të mirë për projektin TAP ku Shqipëria e vlerëson ekspertizën greke gjatë implementimit të këtij projekti në terren. TAP-i çel mundësi të reja për investime dhe projekte në të dy vendet, po të marrim në konsideratë këtu zgjatimin IAP të gazsjellësit drejt Malit të Zi dhe Kroacisë. Unë besoj se pesha gjeo-strategjike e Shqipërisë dhe Greqisë, si shtylla stabiliteti në rajonin tonë, vetëm rritet.

SHKARKO APP