Kërcënimi i Galdinit, provë e kapjes së shëndetësisë nga klani mafioz
Kërcënimi i denoncuesit të korrupsionit, është dëshmi e pastër e faktit se shëndetësia është kapur nga një klan mafioz i lidhur me kryeministrin e vendit. Kjo skemë, jo vetëm ka uzurpuar shërbimet dhe të gjitha burimet financiare, por tenton të mbyllë edhe gojën e atyre që dëshmojnë, që akuzojnë me fakte.
Kanosja e bërë ndaj aktivistit të shoqërisë civile, Arian Galdini, pas denoncimit të tij publik në lidhje me një skandal të paprecedentë në shëndetësi, është një këmbanë alarmi për shoqërinë dhe vendin.
Aktivisti i shoqërisë civile solli dëshminë e tij për një rast konkret, tronditës në lidhje me korrupsionin në shëndetësi, dhe me trajtimin kriminal të pacientëve.
Galdini solli publikisht fakte dhe argumenta për të mbrojtur pretendimin e tij.
Dëshmia publike e aktivistit të shoqërisë civile u pasua fillimisht nga heshtja kriminale e Mininistrisë së Shëndetësisë, e cila nuk bëri asnjë transparencë, asnjë llogaridhënie për akuzën konkrete dhe për rastin konkret, me emra konkretë e rrethana konkrete.
Heshtja e autoriteteve është sjellje e njohur tashmë e qeverisë Rama, sjellje që ka marrë e merr në mbrojtje skemat korruptive dhe emërimet kriminale.
Pas denoncimit publik me fakte e argumenta, sipas një mekanizmi mirëfilli mafioz, vjen kërcënimi me jetë i denoncuesit, i personit që pati kurajon të zbulojë të vërtetën dramatike të gjëndjes skandaloze, abuzive, të përfitimit kriminal financiar në kurriz të qytetarëve.
Kërcënimi i denoncuesit është dëshmi e pastër e faktit se shëndetësia është kapur nga një klan mafioz i lidhur me kryeministrin e vendit. Kjo skemë, jo vetëm ka uzurpuar shërbimet dhe të gjitha burimet financiare, por tenton të mbyllë edhe gojën e atyre që dëshmojnë, që akuzojnë me fakte.
Partia Demokratike e dënon kërcënimin e bërë ndaj z. Galdinit dhe i kërkon Policisë dhe Prokurorisë ta zbardhin sa më shpejt ngjarjen, të gjejnë autorët dhe porositësit, të cilët gjenden në krye të shëndetësisë.
Ne inkurajojmë cdo përpjekje të shoqërisë civile e të qytetarëve, për të denoncuar e dëshmuar për korrupsionin dhe kapjen e shëndetësisë nga mafia pranë Edi Ramës.