Kërkesa për FETO-n, Rama: Si kemi borxhe Erdoganit

Vizita e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Tiranë, dhe mbi të gjitha fjalimi në Kuvend me kërkesën për arrestime të anëtarëve të FETO-s në Shqipëri, që ai e quan organizatë terroriste, ka trazuar jo vetëm Komunitetin Mysliman në vend.

Sot i pyetur nga ana e gazetarëve, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria nuk i ka asnjë borxh presidentit turk. “Nuk i kemi asnjë borxh Presidentit Erdogan, sepse mes miqsh dhe një miqësi vëllazërore nuk ka borxhe”. Erdogan e bëri të qartë parakushtin që duhet të plotësojë Shqipëria për të ruajtur vëllazërinë mes dy vendeve.

Organizata FETO, drejtohet nga Fetullah Gülen. Erdogan i ka kërkuar kryeministrit që të ndërmarrë hapa më të shpejtë për t’u ndarë nga prania e çdo institucioni të organizatës FETO-s në Shqipëri. Autoritetet turke i kanë kërkuar Shqipërisë që të ndalojë të gjitha aktivitetet e FETO-s në sektorin arsimor, shëndetësor, fetar dhe privat, por deri më tani kjo kërkesë turke nuk është përmbushur nga autoritetet shqiptare.

Në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’Hem Beut, ku ishte i ftuar presidenti turk, mungesa e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u kthye në temë debati. KMSH-ja thotë se ky institucion nuk ka pasur një ftesë nga organizatorët e këtij eventi.

Krerët e KMSH-së kanë zhvilluar takime me drejtues të disa xhamive të Tiranës dhe drejtues të disa myftinjve të rretheve kryesore. Ende Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk ka një qëndrim zyrtar mbi deklaratat e Presidentit turk.

SHKARKO APP