Kërpaçi: 4 propozimet e LSI për rininë. Qëndrimi në Shqipëri një fitore e madhe

Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi, përmes një deklarate për shtyp, bëri të ditur 4 propozimet bazë të LSI-së për rininë. Një nga pikat e LSI-së, është që për çdo të ri deri në moshën 30-vjeç, i cili hap biznesin e tij, apo është i punësuar në biznesin e tij, në administratë, bujqësi, shëndetësi, sistem bankar apo çdo fushë tjetër, tatimi ndaj tyre të jetë zero, për ti shndëruar ata në kontribues shoqëror e të pavarur dhe jo në një peshë për veten dhe shoqërinë. ”Për LSI, çdo i ri që do të qëndrojë në Shqipëri, do të jetë një fitore e madhe, do të jetë një mesazh edhe për të rinjtë e tjerë, dhe për ne, çdo i ri është i çmuar dhe i gjithë komuniteti gjigand i të rinjve është arma më e fortë që Shqipëria ka për të ecur përpara, por edhe për tu integruar në Europe e për të konkuruar denjësisht me vendet e tjera në sfidat e të ardhmes”,-tha Kërpaçi.

Deklarata e plotë

Sipas studimeve të shumta, 70% e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga shqipëria, ku synimi kryesor është emigrimi drejt BE. Këta të rinj duan të largohen për një jetë më të mirë, për të krijuar mundësi punësimi, për të krijuar mundësi arsimimi, pra, ti krijojnë vetes ato mundësi që u sigurojnë një të ardhme, mundësi të cilat shteti për shkak të keqqeverisjes, ua ka mohuar.

Keqqeverisja, ku në bazë të saj qëndron korrupsioni, kriminalizimi i pushtetit, shpërdorimi i taksave në favor të oligarkisë, destruktimi i arsimit dhe shëndetësisë, ka krijuar të gjithë panoramën pesimiste e të pashpresë për të rinjtë shqiptarë. Kjo situatë ka bërë që edhe të rinjtë të mirëarsimuar dhe trajnuar të largohen nga vendi. Dhe kjo përbën një humbje shumë serioze për ekonominë e vendit. E cila ndonëse ka investuar tek edukimi i individëve, për shkak të emigrimit, ky investim kthehet në humbje, pasi shërbimet e një individi të arsimuar do ti ofrohen një vendi tjetër dhe jo Shqipërisë.

Situata kërkon zgjidhje të menjëhershme, por edhe për shqiptarin më të fundit, edhe për të riun më të fundit, është shumë e qartë që këto zgjidhje nuk mund të vijnë kurrë nga kjo qeveri, e mbërthyer nga korrupsioni dhe oligarkia. Ne e kemi shumë të qartë planin dhe hapat që duhen ndjekur për ti kthyer rinisë shpresën për një garanci për tardhmen.

Së pari, mbështetje transformuese për arsimin duke dyfishuar buxhetin për arsimin dedikuar përmirësimit rrënjësisht infrastrukturës arsimore, pagat e mësuesve, rritjen e autonomisë Universitare, me qëllimin thelbësor Një Arsim Cilësor i cili mund të përballet denjësisht me Tregun e Punës. Bazuar mbi moton tonë të palëkundur, Arsim për Punësim, e gjithë vëmendja do të shkojë tek lidhja praktike e arsimit me tregun e punës aktual dhe atë të ardshëm.

Nëpërmjet uljes së tarifave dhe detyrimeve financiare për studentët, do ti jepet një fytyrë sa më sociale në mënyrë që të gjithë të rinjtë të mosdiskriminohen për shkak të shtresës shoqërorë ku bëjnë pjesë apo mundësive ekonomike të familjeve, dhe dyert e dijes në universitete të jenë të hapura për të gjithë.

Përsa i takon të rinjve dhe mbështetjes së krijimit të familjeve të reja, do të jetë një objektiv stragjik, krijimi i fondit të shtëpive për familjet e reja; Punësim prioritar për të paktën 1 nga prindërit e rinj të një familje me fëmijë.

Ne jemi duke përgatitur një plaftormë, për çdo të ri deri në moshën 30-vjeç, i cili hap biznesin e tij, apo është i punësuar në biznesin e tij, në administratë, bujqësi, shëndetësi, sistem bankar apo çdo fushë tjetër, tatimi ndaj tyre të jetë zero, për ti shndëruar ata në kontribues shoqëror e të pavarur dhe jo në një peshë për veten dhe shoqërinë. Veprimet konkrete do të jenë kryefjala e opozitës nesër në qeverisje. LSI ka qenë partia e fjalës së mbajtur përsa i takon të rinjve dhe ajo do vazhdojë të mbetet e tillë. Të rinjtë shqiptarë nuk kanë nevojë as për pakte mashtruese për universitetin, dhe as për mashtrime me 3D, që ekzistojnë vetëm në kompjuterat e qeverisë të paguar nga oligarkia dhe absolutisht jo për modelet që helmojnë jetën dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë siç është droga në rradhë të parë dhe kriminalizimi i jetës së tyre.

Për LSI, çdo i ri që do të qëndrojë në Shqipëri, do të jetë një fitore e madhe, do të jetë një mesazh edhe për të rinjtë e tjerë, dhe për ne, çdo i ri është i çmuar dhe i gjithë komuniteti gjigand i të rinjve është arma më e fortë që Shqipëria ka për të ecur përpara, por edhe për tu integruar në Europe e për të konkuruar denjësisht me vendet e tjera në sfidat e të ardhmes.

SHKARKO APP