Këshilli Bashkiak miraton bonusin e qerasë për familjet e Kombinatit, Veliaj: Brenda verës do hedhim shortin për shtëpitë e reja
Këtë të enjte Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi listën e familjeve të Kombinatit, të cilat përfitojnë bonus qiraje pasi banesat e tyre u prekën nga procesi i rindërtimit prej tërmetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se vonesat kanë ardhur si pasojë e proceseve gjyqësore nga partitë politike. Ai theksoi se bashkia i ka fituar të gjitha proceset gjyqësore që sollën pengesa dhe shumë shpejt do të hidhet shorti për ndarjen e apartamenteve për familjet e prekura.
“Kemi një projektvendim për miratiomin e pagesës së qirasë, sipas vlerës së tregut të lirë, për individë dhe pasuritë e tyre që preken nga shpronësimi për interes publik në funksion të procesit të rindërtimit në zonën e Kombinatit. Siç e keni parë, aty jemi shumë afër fundit, kemi pasur disa procese gjyqësore.
Fatmirësisht i kemi fituar të gjitha. Ndoshta, një mesazh për të gjitha partitë politike që investohen në këto bllokime: Nuk bllokohet Bashkia e Tiranës. 99% e qytetarëve shkojnë në shtëpitë e tyre, është vetëm ky 1% që është pa shtëpi, që duke u vërtitur gjyqeve me njëri-tjetrin, hasin pengesa të panevojshme. Duke qenë se jemi në prag të fundit ne do të vazhdojmë qiranë deri në ditën e fundit për qytetarët e Kombinatit.
Shumë shpejt, besoj brenda verës, ne do të hedhim shortet për gjitha shtëpitë e Kombinatit, që si “5 maji”, si Kombinati, pjesa e tërmetit të jetë mbyllur dhe pastaj të shqetësohemi për pjesën e shpronësimeve, që mund të jenë dyqane apo le të themi njësi biznesi, që kanë qenë në ato territore që do të kompensohen më pas metër katror për metër katror”, tha Veliaj.