Këshilli Bashkiak miraton planin urbanistik, Veliaj: Si do ndryshojë Tirana
Ky plan u cilësua si abuziv nga këshilltarët e djathtë për shkak të kalimit të tij pa dëgjesa publike, pa konsultim me qytetarët e Tiranës, në mungesë të plotë të transparencës dhe në kundërshtim me ligjin.
Plani urbanistik u miratua vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa PD u shpreh kundër. Këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës thanë se “Jemi kundër këtij plani betonizues e klientelist. S’mund të bëhemi pjesë e asaj që shkatërron Tiranën”.
Kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli, kërkoi të hiqen nga axhenda e diskutimeve plani urbanistik dhe buxheti, dy çështje të kontestuara nga opozita.
Por, kryetarja e grupit të këshilltarëve të PS, Klodi Ferhati, u shpreh se “jane zbatuar te gjitha pikat me rigorozitet. Në emrin tim dhe te grupit te PS jemi kunder këtij propozimi”.
Ndërsa grupi i këshilltarëve të LSI propozuan që të mbahet një seancë e hapur për planin urbanistik dhe ftojnë shoqërinë civile të marrë pjesë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endri Braimllari kërkon që seanca e sotme të kthehet në dëgjesë publike për planin urbanistik.
“Të ftohen grupet e interesit, të shprehin mendimet dhe opinionet. Transparenca është shumë e rëndësishme, çdo qytetar duhet të jetë i qartë për vendimet që marrim, do rrimë këtu edhe 30 orë me qëllim që të gjithë të sqarohen dhe të jemi të qartë në vendimmarrje”,- tha ai.
Sipas Braimllarit, LSI është gati të dëgjojë çdo qytetar për të mbrojtur çdo shqetësim që ata kanë.
Mbi këtë propozim, kryebashkiaku Veliaj dha dakordësinë, çka solli më pas dhe votimin e rendit të ditës dhe pse me votat kundër të opozitës.
Më pas kryebashkiaku Veliaj foli për planet e 2017 për kryeqytetin. “Po miratojme Kushtetuten e 15-20 viteve te ardhshme. Kemi zhvilluar 3 degjesa per planifikimin Urban ku u kemi bere ftesa te gjithe keshilltareve e kete do tua tregoj edhe me fakte. Ka pasur publikime te rregullta ne faqen online te bashkise Tirane per projektin. Sipas planit zgjerojme me 25 mije metra parkun e Liqenit. Tirana policentrike e vleresuar nga mbi 80% e qytetareve. Në janar ftoj keshillin bashkiak te beje nje xhiro e te shohe kur te nise shtrimi me pllaka i zgjatimit të bulevardit”, tha Veliaj.
Projektet
Plani i Përgjithshëm Vendor parashikon në total 13 Projekte strategjike që përbëjnë dhe komponentin strukturor të Planit.
Gjatë prezantimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se parashikohet një Tiranë policentrike e cila synon të zgjidhë pikërisht problematikat e hasura në gjithë këto vite.
“Duke investuar në ndërtimin e poleve të tjera urbane – qyteteve brenda qytetit – jo vetëm që stimulohet një zhvillim më i njëtrajtshëm ekonomik e social i të gjithë hapësirës urbane të Tiranës, por përfiton edhe vetë qendra ekzistuese e qytetit për të cilën këto pole alternative do të shërbejnë si valvula përmes të cilave mund të shkarkohet presioni tanimë i papërballueshëm që ushtrohet në situatën aktuale”, tha ai. Kreu i Bashkisë tha se përveç qendrës ekzistuese, strategjia dhe vizioni ynë për Tiranën e vitit 2030 parashikon edhe 6 qendra të tjera urbane të cilat do të funksionojnë si pole alternative e autonome shërbimesh e ekonomike.
Plani parashikon ndërtimin e 17 shkollave të reja publike në Tiranë të cilat do të kenë një shpërndarje proporcionale në qytet mes qendrës dhe periferisë, por që në shumicën e rasteve do t’u mbivendosen poliqendrave të Tiranës. Këto shkolla do të jenë modele në aspektin arkitekturor, por do të kenë një funksion të dyfishtë pasi do të jenë edhe në shërbim të komunitetit apo edhe të Bashkisë, pasi këto mund të jenë shumë mirë vendet ku zhvillohen për shembull mbledhjet e adminitratorëve me komunitetin e kështu me radhë.
Kreu i Bashkisë garantoi se Plani i Përgjithshëm bazohet në idenë e ruajtjes së godinave historike pasi kjo është e domosdoshme për të kuptuar historinë e Shqipërisë dhe Tiranës. Veliaj theksoi se një nga projektet që parashikon ky Plan është edhe ai i Pyllit Orbital, i cili parashikon realizimin e një brezi prej 2 milionë pemësh rreth qytetit dhe do të ketë një funksion të dyfishtë.
“Edhe si park përreth Tiranës, por edhe si një kufi që do të ketë mundësi të bllokojë konsumin e tokës dhe të krijojë një unazë me pemë frutore, parqe me pemë dhe pyje për natyralizimin”, tha Veliaj. Rritja e popullsisë, urbanizimi dhe nevoja për investime të reja për transportin kanë prekur gjatë viteve pothuajse të gjithë territorin e qytetit të Tiranës dhe të komunave përreth. Për këtë qëllim, parashikohet dhe projekti për krijimin e Oazëve natyrorë.
“Plani i Përgjithshëm Vendor propozon realizimin e një zone rreth liqenit të Farkës, një oaz natyral ku kafshët e egra të mund të rifitojnë hapësirat dhe të qarkullojnë në mënyrë të lirshme në bashkëjetesë me njerëzit. Nxitja për realizimin e aktiviteteve rekreative të qëndrueshme, rinatyralizimi nëpërmjet përdorimit të specieve lokale do të transformojë liqenin e Farkës në një alternativë të vlefshme ndaj parkut të Liqenit për banorët e Tiranës”, theksoi Veliaj.
Një nga projektet më të rëndësishme do të jetë dhe krijimi i Unazës së 2-të dhe të 4-rt. Plani i Përgjithshëm propozon realizimin e dy unazave tërësisht të dedikuara për transportin publik dhe atë alternativ, të këmbësorëve dhe biçikletave që mund të funksionojnë njëkohësisht si 2 parqe lineare të Tiranës. Së bashku më pyllin orbital dhe korridoret ekologjike Unazat 2 dhe 4 do të përbëjnë infrastrukturën e gjelbër bazë të qytetit ndërkohë që gradualisht do të përkufizojnë edhe zonat e kufizimit të trafikut jo rezident për qendrën e Tiranës.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe projektit të Parkut botëror, që do të jetë një park linerat që do të jetë shtylla kurrizore e Tiranës dhe do të lidhë e integrojë parqet duke filluar nga Lumi i Tiranës, përmes Bulevardit të ri, Bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe deri tek Parku i Liqenit.
“Plani propozon ribashkimin në një masterplan të vetëm të gjithë zonave dhe të projekteve aktuale gjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga parku i liqenit deri në parkun lumor të Tiranës”, sqaroi Veliaj.
Gjithashtu, projekti i “Unazave të gjelbera dhe blu”, është një projekt që synon të transformojë rrjedhat kryesore të sistemeve lumore të Tiranës nga zona me ndotje të lartë dhe të degraduara, në korridore të gjelbëra. “Duke sistemuar këto rrjedha do të parandalohet përmbytjet e tyre në të ardhmen. Së dyti, do të shërbejnë si korridore natyrore ku do të zhvillohet në njëren anë agroturizmi, e në anën tjetër energjia e rinovueshme përmes impianteve eolike”, tha ai.
Vëmendje i kushtohet edhe rritjes së cilësisë së transportit, ku parashikohet edhe një projekt pilot me dy linja të tranzitit të shpejtë më autobuz, çka do të thotë dy linja me korsi të dedikuara dhe frekuencë të shpeshtë autobuzësh në dy arteriet më të ngarkuara të Tiranës , që janë ajo Kinostudio – Kombinat dhe Unaza e tretë. Krahas sa, parashikohet dhe ndërtimi i rrjetit të korsive të biçikletave.
Në kuadër të Planit të Përgjithshëm Vendor, është hartuar një rregullore e qartë dhe e mirëpërcaktuar për të garantuar aksesin e PAK në çdo institucion, por edhe në infrastrukturën e qytetit. Por në vëmendje do të jenë dhe sistemi i ri bujqësor dhe rrjeti i ri i tregjeve për fermerët.
“Sfida jonë për të ardhmen është lidhja e këtyre zonave të prodhimit bujqësor me infrastrukturën dhe logjistikën efikase për magazinimin dhe transportin në tregje të produktit. Ideja është për të reduktuar në mënyrë drastike distancën midis zonave të prodhimit dhe të shitjes përmes investimit ne një rrjet tregjesh bujqësore për të gjitha këto zona me aktivitet të lartë bujqësor”, tha Veliaj. Gjatë fjalës së tij, Veliaj theksoi se Plani parashikon edhe një investim në energjinë e rinovueshme në të ardhmen, jo vetëm si një mënyrë për të ulur ndotjen dhe garantuar një furnizim më të qëndrueshëm me energji, por edhe si një mënyrë për të promovuar një ekonomi tjetër veç asaj rurale në disa zona të Tiranës.
Për hartimin e këtij Plani të Përgjithshëm Vendor janë zhvilluar mbi 100 dëgjesa me grupe interesi si Shoqata e Arkitektëve apo Shoqatat e Ndërtuesve ejt, ndërsa ka pasur edhe publikime të rregullta si në faqen e Bashkisë Tiranë, ashtu edhe në Regjistrin e Integruar të Territorit që menaxhohet nga AKPT.
KOHA JONË SONDAZH

