Këshilli Drejtues i RTSH-së, 57 kandidatë në garë

Në fillim të mbledhjes nënkryetari i komisionit, Alfred Peza tha se së bashku me opozitën kemi përzgjedhur 57 kandidatë, të cilët do të kalojnë në filtrin e komisionit derisa të shkojmë tek zgjedhja e 10 anëtarëve të KD-së.
Skualifikimi i kandidaturave do të bëhet një e nga një nga komisioni, tha ai, gjatë mbledhjeve me dyer të mbyllura. Janë 57 kandidatë që plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e këtij procesi. Nënkryetari Peza i bëri sërish thirrje deputetëve të opozitës që të vijnë në komision dhe të bëhen pjesë e procedurave për zgjedhjen e bordit drejtues të RTSH-së.
Radio Televizioni Shqiptar është enti kryesor publik mediatik në vend, i cili aktualisht funksionon me një këshill të vjetër drejtues.
Ligji “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar në Kuvend në mars të këtij viti, përcakton funksionimin e KD-së së RTSH-së. Këshilli përbëhet nga kryetari dhe nga 10 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë.
Anëtari i njëmbëdhjetë, njëkohësisht kryetar i KD-së, zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit. Në këtë post drejtues zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së zgjidhet me votim të fshehtë nga KD për një periudhë 5-vjeçare ndërmjet jo më pak se 2 kandidaturave. Përzgjedhja e kandidaturave bëhet nga Këshilli.

SHKARKO APP