Këshillimi Kombëtar, 12 pyetjet që kryeministri Edi Rama ka për qytetarët shqiptarë
Disa javë pasi kryeministri Edi Rama lancoi nismën ”Këshillimi Kombëtar”, sot është publikuar anketa me 12 pyetjet që qeveria do t’i adresojë qytetarëve.
Pyetësori prej katër faqesh është i mbështetur në 5 shtylla, familja, lufta kundër krimit, ekonomi, punësim e integrimi i vendit, nis me pyetjen nëse duhet bërë diferencim për nënat që rrisin 3 ose më shumë fëmijë të mitur në përfitimin e mbrojtjes së veçantë sociale nga shteti.
Po ashtu kryeministri Rama pyet qytetarët lidhur me legalizimin e kanabisit për arsye shëndetësore, vendosjen me detyrim të certifikatës së vaksinimit në kushtet kur Shqipëria ende nuk ka ashpërsuar masat anti-covid, shtimin e gjobave për evazionin fiskal, apo pezullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nëse vendosin haptas në kundërshtim me ligjin.
Një tjetër çështje është edhe ”Open Balkan”, ku qytetarët shqiptarë do ta shprehin me votë nëse janë pro apo kundër nismës mes tre shteve, Serbi-Shqipëri-Maqedonia e Veriut.