Këshillimi Kombëtar, Edi Rama u përgjigjet kritikave: Diskutim me atdhedashuri. Kur ka bërë vaki më parë që qeveria t’i pyesë qytetarët

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur gjatë qëndrimeve kritike dhe dyshuese që janë bërë ndaj Këshillimit Kombëtar, ku thotë se nuk është koha e përçarjes, por e diskutim me njerzillëk dhe atdhedashuri.

Si përgjigje Rama ka një shprehje të urtë popullore ”beso dhe kontrollo”, teksa shton se askujt nuk i kushton asgjë plotësimi i 12 pyetjeve dhe më pas me kohën të vërtetojnë nëse ja vlejti apo jo.

”Këshillimi Kombëtar është një shprehje e re e vullnetit të mirë, për t’i përshirë në vendimmarrjet tona qytetarët pa dallime partiake. Disa shkruajnë se nuk e plotësojnë pyetësorin, sepse nuk kanë fare besim që opinionet e tyre mund të merren parasysh. Beso dhe kontrollo, thotë Populli. Asgjë nuk kushton besoj dhënia e opinioneve për 12 çështjet e hedhura për këshillim, krahasuar me harxhimin e kohës për komente që mund të lihen për më vonë”.

Nga: Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

Kam ndeshur gjatë këtyre ditëve disa që komentojnë këtu, se Këshillimi Kombëtar duhej bërë në fillim të mandatit të parë, jo të të tretit. Sa mirë do ishte që njerëzit t’i dinin të tëra qysh në nisje të çdo pune, po ja që puna na mëson shumë gjëra të reja. Pra kjo nuk është një ide e vjetër, po një praktikë e re e këtij mandati të ri. Këshillimi Kombëtar është një shprehje e re e vullnetit të mirë, për t’i përshirë në vendimmarrjet tona qytetarët pa dallime partiake.

Disa shkruajnë se nuk e plotësojnë pyetësorin, sepse nuk kanë fare besim që opinionet e tyre mund të merren parasysh. Beso dhe kontrollo, thotë Populli. Asgjë nuk kushton besoj dhënia e opinioneve për 12 çështjet e hedhura për këshillim, krahasuar me harxhimin e kohës për komente që mund të lihen për më vonë.

Le t’ia lemë kohës pas përfundimit të këtij këshillimi të parë, që të tregojë me fakte se sa seriozisht e ka qeveria këtë proces. Deri atëherë mund të them vetëm se ne nuk do të kishim asnjë arsye ta ndërmerrnim këtë nisëm të re, po të mos e kishim shumë seriozisht qëllimin e saj. Disa të tjerë thonë se nuk janë pyetjet e duhura apo se duheshin edhe pyetje të tjera. Ne kemi shprehur hapur dhe ndershmërisht dilemat tona për ato 12 çështje.

Mbase kur t’i kthehemi kësaj here të parë pas dy a tre vitesh, do të mendojmë se mund të ishte konceptuar më mirë, organizuar më mirë, shpjeguar më mirë, e me radhë. Sepse puna mund të na mësojë gjëra që sot nuk i marrim dot me mend. Por modestisht besoj se kjo nuk është një arsye për të mos e dhënë opinionin për këto çështje.

Fundja kur ka bërë vaki më parë që qeveria t’i pyesë kaq drejtëpërdrejt qytetarët e këtij vendi, shtëpi më shtëpi? Le t’ia japim një shans kësaj përpjekjeje të re, ku të marrurit me politikë nuk është sharje, akuzë, përçarje, tifozllëk, sherr, kush jemi ne e kush jeni ju, po është diskutim me njerzillëk e atdhedashuri, mbi çështje shumë konkrete që kërkojnë vendimmarrje konkrete.

Jepeni ju lutem opinionin tuaj në linkun www.keshillimikombetar.al dhe bashkohuni me 164,851 qytetarët që deri mbrëmë janë përfshirë në këtë kuvendim popullor. Le ta degjojmë më shumë njëri-tjetrin, të mësojmë nga njëri-tjetri, të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin të mbështesim njëri-tjetrin, si njerëz, si qytetarë, si shqiptar.

SHKARKO APP