Këshilltarja e DASH, Judith Heumann dhe ministri Klosi vizitojnë fabrikën e karrigeve me rrota

 

Judith Heumann, këshilltare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara pranë Departamentit Amerikan të Shtetit e presidentit Barack Obama, ministri i MSR-së, Blendi Klosi, ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Donald Lu dhe përfaqësues të USAID-it vizituan sot fabrikën ku ofrohet shërbimi i karrigeve me rrota për njerëzit me aftësi të kufizuara në gjithë Shqipërinë, si pjesë e programeve të Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ata janë njohur me kushtet, shërbimet dhe kapacitetet që ofron fabrika për prodhimin e karrigeve me rrota, ndërkohë që kanë biseduar me të punësuarit aty, të cilët vijnë kryesisht nga kategoria e personave me aftësi të kufizuara.

Në një deklaratë për mediat, këshilltarja Heumann, e cila gjithashtu vjen nga ky grup shoqëror, theksoi se për njerëzit me aftësi të kufizuara, të kenë një karrige me rrota do të thotë lëvizje dhe akses në shërbime dhe më shumë integrim në shoqëri. “Jam shumë e lumtur që ndodhem këtu në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit. Duke qenë se jam një person që përdor karrigen me rrota, e kuptoj jashtë mase rëndësinë e të pasurit një karrige me rrota në kohën e duhur, kjo pasi u krijon mundësi atyre që të dalin dhe të bëhen pjesë e komunitetit. Kështu do mund t’i japim fund një herë mirë stigmatizimit që ekziston për këtë persona dhe që është një nga shkaktarët kryesorë të diskriminimit”, – tha këshilltarja e Departamentit Amerikan të Shtetit e presidentit Barack Obama.

Swiss Digital Desktop Reklama

Më tej ajo ka vënë theksin te nevoja dhe kushtet që duhet të plotësojnë shoqëria dhe shteti për këtë kategori personash, për t’u krijuar atyre mundësi që të aksesojnë të gjitha shërbimet. “Largimi i pengesave nga shoqëria jonë nënkupton që kur të ndërtohen godinat e reja, ato të jenë ndërtuar me përshtatshmërinë për personat me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, rrugët tona dhe vendet ku mund të kalohet të jenë të atilla, që të jenë të aksesueshme nga këta persona. Po kështu dhe mundësitë e transportit për këta persona të jenë të aksesueshme. Këto gjëra nuk ndodhin brenda natës, çka do të thotë se shoqëria civile dhe qeveria duhet të punojnë së bashku”, – tha këshilltarja Judith Heumann.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga ana e tij, ministri Blendi Klosi tha se ndërmarrje të tilla krijojnë mundësi më shumë jo vetëm për ata që punojnë në këto ambiente, por janë një e mirë në ndihmë të të gjithë komunitetit të personave me aftësi të kufizuara. “Ne si qeveri kemi marrë me shumë konsideratë të gjitha kërkesat që na vijnë për gjithë përfshirjen e këtij grupi shoqërorë, tashmë jo vetëm si pjesë e legjislacionit por edhe si pjesë e përditshme e administratës sonë”, – tha ministri Klosi në fjalën e vet. Ai njohu zyrtaren e lartë amerikane me reformën dhe përpjekjet që ka ndërmarrë MMSR-ja në të gjitha institucionet tona të shërbimit social, për t’i bërë ato të gatshme që t’i ofrojnë këtij grupi social atë që shoqëria që duhet të japë, ndihmën dhe përkujdesjen.

“Mbështesim shumë iniciativa të tilla si kjo e sotmja për të pasur mundësinë që nëpërmjet ndërmarrjeve sociale t’i afrohemi këtij komuniteti që ka nevojë për një derë më shumë, për një përkrahje që nuk duhet t’i mungojë. Unë falënderoj shumë ambasadën amerikane, përfaqësuesit e DASH dhe programin e USAID-it që kanë mbështetur prej kaq vitesh krijimin e kësaj qendre, nga e cila kanë përfituar tashmë me mijëra qytetarë shqiptarë dhe e shikojmë këtë si një përpjekje të përbashkët, në të cilën qeveria do të japë padyshim mbështetjen e saj”, – u shpreh ministri Klosi.

 

Ndërkohë, ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu vlerësoi përpjekjet që ka bërë qeveria shqiptare në këtë drejtim, ndërsa theksoi se falë këtij projekti do ofrohen rreth 6 mijë karrige me rrota. “Shqipëria ka bërë përparime të jashtëzakonshme në përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara. Fondacioni shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara afron shpresë dhe vende pune për qindra persona, si dhe më shumë se 6 mijë karrige me rrota për njerëzit në Shqipëri. Jemi krenarë që jemi partnerë të tyre”, – tha Lu.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?