Kim Mehmeti: Tirana, si qytet i ndërtuar nga mafia në mes të shkretëtirës!
Nga Kim Mehmeti –
Tirana është një xhungël betoni e asfalti, ajo është shfytyruar dhe portretizon ata që nuk çmojnë as të shkuar as të ardhme të popullit e vendit të vet, por që kryeqendrën e mëmëdheut tonë e kanë barazuar me një projekte të përkohshëm të një Organizate Joqeveritare e ku ti mund të besh çka të ta dojë qejfi, duke u pasuruar me fatura të rrejshme që t’i paguajmë donatorë të jashtëm, e që ndodh të jenë edhe qarqe mafioze.
Pastaj Tirana tregon se shqiptaria përballet me dy mundësi: o mëmëdheun e tyre ta shndërrojnë në atë q e duan dhe ëndërrojnë, pra në një kopsht të bukur ose atë të lënë në duart e “Rilindjes” e cila Shqipërinë e çon rrugës që të bëhet gropë septike ku do derdhen ujërat e zeza të mafias ballkanike dhe evropiane.
Kur e sheh njeriu Tiranën përballet me diçka të frikshme: me një qytet si ato të ndërtuar nga shpërlarës parash e nga mafia, apo më butë thënë si qytet arabe të ndërtuar në mes shkretëtirës, e që shpërfaqin ambiciet e ndërtuesve të sapo dal nga tendat e beduinëve, që nga pak i turpërohen të shkuarës së vet, e që natyrshëm, kanë nevojë për ndërtesa sa më të larta, nga ata që nëpërmjet makinave të shtrenjta dhe lartësisë së pallateve që ngrenë tregojnë se jan ë si e gjithë bota.
Pra kur sheh njeriu Tiranën ka përshtypjen se bëhet fjalë për kryeqendrën e një populli që nuk ka të shkuar, por që sapo ka dalë nga tenda apo shpella, e që tani vuan vetëm për beton e pallate që të çojnë lartë e më lartë drejt qiellit, por që të largojnë nga toka të cilës i takon dhe e cila të ka ushqyer e të ka bërë ky që je.
Tiranës i është rrënuar thuajse e gjithë e shkuara, nga rrënuesit e ‘Rilindjes’ që nuk e kanë kuptuara se ngrehinat e moçme nuk janë vetëm mure, por nënshkrim mbi tokë i ndërtuesve të tyre, gjurmë të lëna nga paraardhësit tanë, e nëpërmjet të cilave mund të dëshmojmë se nuk jemi trung pa rrënjë.