Koço Kokëdhima: Të rrëzojmë “të vdekurin” Rama, mos shkoni të votoni!
Partia “Zgjidhja” me kryetar Koço Kokëdhimën u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në një deklaratë për shtyp që të mos shkojnë për të votuar më 30 qershor.
Deklarata për shtyp
Ta rrëzojmë të vdekurin që ecën. Ai është Edi Rama. Politikisht dhe moralisht. Është kapur me presh në duar. Në krye të një qeverie dhe bandave mafioze. Ai duhet të rrëzohet në radhë të parë nga socialistët.
Rama ndjek me vendosmëri agjendën personale. Lufton çdo sekondë për pushtet dhe pasuri për vete. Jo për popullin. Në këto ditë kaq të ndezura politikisht ai vazhdon i pashqetësuar vjedhjen e Shqipërisë. I kaloi edhe dy koncesione kriminale me çmime për kilometër më të lartat në botë për një rrugë fushore. Firma ‘Fusha’ fitoi tenderin fiktiv të rradhës me 6 milionë euro. Çdo gjë vazhdon sipas parashikimit.
Në 365 ditë viti populli merret me politikë dhe Edi Rama e partnerët e vet në vjedhje merren me biznes të pisët, merren me grabitjen e Shqipërisë.
Për t’i kuptuar këto nuk është e nevojshme të jesh pa parti, as opozitar e as socialist. Këto i di i madh e i vogël.
Partia Socialiste mund ta drejtojë vendin në periudhën e ngelur të mandatit politik pa Edi Ramën dhe duke i shpëtuar shqiptarët nga kjo bandë me 5 biznesmenë, me Edi Ramën e Erjon Veliajn dhe me dy-tre rilindas të tjerë.
Kush nuk shkon në votime do të konsiderohet armik i regjimit. ‘Zgjidhja’ u kërkon të gjithë shqiptarëve: Mos shkoni në votime! Kështu do të shpëtojmë në radhë të parë ata njerëz të cilët pa dashur janë peng i regjimit, kryesisht të punësuarit në shtet dhe socialistët sepse nuk do lejojmë që ata të izolohen dhe të vihen nën presion nga mafia e pushtetit.
T’i ndihmojmë socialistët të shkëputen nga hajdutët dhe kriminelët që kanë kapur PS-në!