Kokëdhima, lideri i ri pas Ramës
Gazeta Tema, gazetë shumë e afërt me Edi Ramën, shkruan sot se një portal që financohet nga Shkëlzen Berisha, ka bërë një sondazh për pasardhësin e Edi Ramës në krye të PS-së. Në sondazh pyetej se kë do zgjidhnin socialistët si pasues të Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste, ndërmjet Koço Kokëdhimës, ish-kryeministrit Pandeli Majko, kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrit e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Fitues i këtij sondazhi doli Kokëdhima me 60 për qind të votave, ndërsa tre të tjerët ndanë së bashku 40% të votave. “Politikani Koço Kokëdhima ka udhëhequr gjatë gjithë kohës votimin online, ku mori 631 vota. Pas Kokëdhimës vjen Pandeli Majko me 260 vota. I treti renditet kryetari i bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj dhe në fund ministri Tahiri, përkatësisht me 219 dhe 50 vota. Ky sondazh është ndjekur me shumë interes, madje ka patur edhe komente të shumta që kanë dhënë mbështetjen për politikanin Kokëdhima. “Shqipëria ka nevojë për njerëz tolerantë. Ai është Koço Kokëdhima”, ka shtuar një komentues. “Vetëm like për socialistin e vërtetë, Koço Kokëdhima”, shkruan një komentues. Një tjetër shprehet: “Vota ime për pashain. Jam me ty Koço Kokëdhima””, shkruan gazeta e Kokëdhimës, që i ka bërë jehonë këtij sondazhi. Është për të qeshur, se deri pak muaj më parë, për vite me radhë, për Berishën dhe mediat e tij, Koço Kokëdhima ishte njeriu që sulmohej më shumë. Dhe madje e çuan në Gjykatë Kushtetuese për t’i hequr mandatin. Tani që është prishur me Ramën, është bërë burrë i mirë dhe i dashur. Aq i dashur, sa edhe pse socialistët e kanë përjashtuar nga partia dhe bojkotojnë në takimet që bën kryesisht ne jug, se në zona të tjera s’ka kurrfarë ndikimi, e shpallin si kryetarin e ardhshëm të PS-së.
KOHA JONË SONDAZH

