Kolegji Zgjedhor shqyrton të premten padinë e Dashamir Tahirit
Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë të premten padinë e ish deputetit të PD-së Dashamir Tahiri, të cilit KQZ i hoqi mandatin, pasi akuzohet se ka fshehur dënimet në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Relatori i çështjes së Dashamir Tahirit do të jetë Astrit Kalaja, ndërsa anëtarë të trupës së Kolegjit Zgjedhor janë Ridvan Hadi, Gjin Gjoni, dhe Shkëlqim Mustafa.
Dashamir Tahiri kërkon shfuqizimin e vendimit të Komisonit Qëndror të Zgjedhjeve, ndërsa e ka dërguar cëshjen dhe në Gjykatën Administrative.
KQZ vendosi që në vend të Shkëlqim Selamit nën siglën e LSI në Vlorë, deputet të mandatohet Flamur Celaj, ndërsa vendin e ish- deputetit të PD, Dashamir Tahiri ta zërë Edmond Zejno në Kuvendin e Shqipërisë.
Pas heqjes së mandatit nga KQZ, Tahiri u shpreh se nuk do e lërë me kaq këtë çështje, por do i shkojë deri në fund.
“Që në fillim të këtij procesi është parë qëndrimi politik. Mazhoranca në KQZ nuk ka respektuar ligjin por kanë marrë vendim politik për të më dëmtuar mua dhe opozitën si dhe për të vendosur baraspesha të papranueshme në këtë proces. Sfidoj këdo prej anëtarëve të KQZ që kanë sadopak integritet personal dhe profesional që të më gjejnë vetëm një element të ligjit për të bërë të pavlefshëm mandatin tim. Kjo është një betejë që më shumë se politike ka të bëjë me dinjitetin personal të votuesve të Vlorës dhe komunitetit çam që më ka mbështetur, për të cilën detyrohem ta ndjek këtë çështje deri në fund, në rrugë ligjore për të zbardhur të vërtetën. Mandati im nuk është i KQZ dhe as i lojërave politike, por i votuesve të Vlorës”.- ka thënë Dashamir Tahiri.
KOHA JONË SONDAZH

