Koment: Fuqia globale jep lamtumirën
Si presidenti i ri Trumpi vë në plan të parë interesat amerikane, madje edhe ndaj aleancave dhe angazhimeve shumëvjeçare. Kjo nxit një nacionalizëm të rrezikshëm, mendon Ines Pohl.
Donald Trumpi është dhe mbetet Donald Trump. Dhe ata që kishin shpresuar se biznesmeni nga Nju-Jorku do ta ndryshonte tonin e tij agresiv, sapo të bënte betimin, duhet të jetë zhgënjyer brutalisht. Fjalimi i parë i Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara nuk lë vend për spekulime: Trumpi nuk mendon aspak që si personi në pozicionin më të rëndësishëm politik të botës të çarmatoset verbalisht. Përkundrazi, ai përsërit formulat e fushatës së tij zgjedhore. Premton që përmes një politike izolacioniste ekonomike dhe të mbrojtjes ta bëjë Amerikën të rifitojë ish-madhështinë e saj. Premton që si multimilioner, me kabinetin e tij prej multimillionerësh të sjellë në vend më tepër barazi. Ai do të kujdeset për shkollim të mirë dhe veçanërisht për vende pune të sigurta duke i dhënë fund ndikimit të fuqive të huaja. Shtetet e Bashkuara duhet të kujdesen gjatë periudhës së tij si presindent vetëm për mirëqenien e drejtpërdrejtë të vendit të tyre.
Që ai me këtë heq dorë nga roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një forcë globale, është llogaritur në mënyrë të qartë, dhe për një njeri i cili vë mbi të gjitha përfitimet e mundshme për vendin e vet, asnjë lloj problemi.
Fjalët kanë peshë të re
Në fjalimin pas bërjes së betimit nuk u dëgjua asgjë të re nga 70-vjeçari. E megjithatë fjalimi ka një peshë të re. Edhe pse fuqia e Presidentit amerikan është e kufizuar, ai është njeriu që ndikon në mënyrë të konsiderueshme ndaj gjendjes politike në vend. Rreth 500,000 tifozët e tij brohoritën gjithë gëzim dhe me frenetizëm për Trumpin pikërisht, sepse ai nuk po lëviz nga premtimin e tij gjatë fushatës elektorale. Dhe pikërisht për këtë, pra kundër linjes së re politike, dolën për të protestuar kundërshtarët e tij.
Procedura e gjatë e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara bën që presidenti i ri të gjejë një vend të plagosur dhe të përçarë. Kjo është gjithmonë kështu, edhe pse kjo betejë zgjedhore arriti për shkak të retorikës përçarëse të Presidentit Trump një mungsë niveli të paparë kurrë më parë. Për këtë shkak gjestet e para të presidentit të ri në Shtëpinë e Bardhë kanë qenë për shumë dekada gjithmonë gjeste pajtimi. Donald Trump përbën edhe këtu një përjashtim.
Pushteti i njeriut të fortë
Ai nuk beson tek fuqinë e pajtimit, pot tek fuqia e njeriut të fortë. Me çdo fjalë dhe në çdo gjest ai sinjalizoi në ditën e parë në detyrë se ai dëshiron të ndërhyjë. Ai do të vazhdojë të ndjekë rregullat e lojës të demagogëve, që e quajnë “të huajën” si kërcënuese dhe përdorin frikërat e ushqyera për të mbyllur radhët pas vetes.
Me këtë ai vë shumë kurthe, sidomos për amerikanët liberalë dhe kozmopolitë, që duan një vend shumë të ndryshëm dhe e shohin veten si pjesë e një bote të lirë për të cilën duhet luftuar dhe anagazhuar.
Të përjashtuar nga mirëqenia
Edhe pse në fund të 54 për qind e amerikanëve donin një president tjetër dhe vetëm sistemi i vjetëruar zgjedhor e bëri të mundshme që të fitonte kandidati i cili mori tre milionë vota më pak: hallet dhe vuajtjet e shumë prej pasuesve të tij janë mjaft reale. Dhe është fatale dhe arrogante t’i injorosh këto realitete. Është turp se sa shumë njerëz jetojnë në varfëri të pashpresë në një nga vendet më të pasura në botë, se sa fëmijë nuk kanë që nga dita e parë e jetës asnjë shans të vërtetë për shkak se kanë lindur në familjen e gabuar, dhe në një sistem shkollor që nxit sidomos të privilegjuarit, se sa shumë njerëz e ndjejnë veten të lënë vetëm.
Ka shumë arsye të kuptushme pse pasuesit e Trumpit e kanë humbur prej kohësh besimin tek elitat politike.
Një gjë e tillë si Donald Trump mund të ndodhë me siguri vetëm në Shtetet e Bashkuara. Por fakti që arroganca dhe injoranca e pushtetit u hap derën nacionalistëve të rrezikshëm, nuk është i kufizuar vetëm tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (marre nga radio gjermane DW)