Komisionet Hetimore, miratohen ndryshimet e PS-së. Tabaku: Dëshmitarë do thirren me dyer të mbyllura
Komisioni për Çështjet Ligjore, ka miratuar këtë të martë me 15 vota pro propozimin e deputetes së PS-së, Ermonela Felaj për ligjin për Komisionet Hetimore. Ndërsa u hodhën poshtë propozimet e bëra nga deputetët Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku pas votimit, tha se një ligj i tillë mbron mazhorancën dhe shtoi se thirrja e dëshmitarëve me dyer të mbyllura pengon punën e opozitës për kontrollin parlamentar. Sipas deputetes, ligji aktual i komisioneve hetimore është shumë i mirë nëse mbetet i tillë dhe i shtohen fuqi opozitës e jo të ndodhë e kundërta.
”Me dëshmitarë që do të thirren me dyer të mbyllura. Lënia në fshehtësi, është një pengesë e punës së opozitës dhe vjedhja e të drejtës kushtetuese që kemi për kontrollin parlamentar. Tashmë është bërë një ligj që ngre një komision hetimor për të kontrolluar komisionin hetimor. Kush është Klotilda Bushka qëë vendos nëse dëshmitari duhet të vijë me dyer të mbyllura apo të hapura. Ligji aktual është shumë i mirë ashtu siç është nëse do ndryshohej për t’i dhënë opozitës më shumë fuqi dhe jo për t’i hequr”,-tha Tabaku.
Felaj gjatë fjalës së saj tha se ligji për komisionet hetimore ka si model atë gjerman. Ajo theksoi se që nga viti 1998 e deri më tani, Shqipëria ka numrin më të lartë të komisioneve hetimore të ngritura. “Ligji ynë për komisionet hetimore ka pasur si model ligjin gjerman. Në 22 vite, sigurisht që ligji dhe qëndrimet ndaj tij kanë pësuar ndryshime”, tha Felaj. Ajo u shpreh se ligji është marrë disa herë në shqyrtim dhe nuk ka pasur gjetje antikushtetuese. Sipas Felajt, numri i lartë i komisioneve hetimore të ngritura në Kuvendin e Shqipërisë ka sjellë jo efiktivitet, pasi mënyra sesi puna ka përfunduar nuk ka qenë në funksion të opinionit publik.