Komisioni anti-korrupsion. Dy emrat nga SHBA dhe BE që do të ”marrin në dorë” procesin për ndërkombëtarët

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë caktuar misionet përkatëse të asistencës të cilat do të monitorojnë dhe asistojnë veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin.

Në krye të misionit të SHBA-së do të jetë drejtuesja e misionit të OPDAT, Mary Kate. Kurse në krye të misionit të Bashkimit Europian do të jetë Agnes Bernhard. Krahas këtyre dy misioneve janë përcaktuar dhe pritet të mbërrijnë në Tiranë ekspertët e caktuar nga Këshilli i Europës dhe OSBE-së.

Në maj të këtij viti Kuvendi miratoi një rezolutë e cila synonte krijimin e një Komisioni të ri të Posaçëm Antikorrupsion, me qëllim goditjen e korrupsionit dhe reformimin e administratës. Në krye të komisionit u vendos ish drejtuesi i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, teksa kryeministri Edi Rama e prezantoi si një nismë e cila nevojitet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Komisioni u shoqërua me një sërë kritikash në media ku zëra të ndryshëm pretenduan se po tentohej ndërhyrja në punën e institucioneve të reja të drejtësisë. Përbërja e komisionit të ri kërkon gjashtë anëtarë nga shumica parlamentare dhe pesë nga opozita, deri më tani këta të fundit kanë refuzuar t’i bashkohen.

SHKARKO APP