Komisioni Hetimor për 25 prillin, Alibeaj: Rama të urdhërojë vartësit të kthejnë përgjigje, do i kallëzoj
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për 25 prillin, nënkryetari i PD-së dhe kryetar i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj tha se asnjë institucion shtetëror që i është dërgur për kërkesë informacion për 25 prillin nuk ka kthyer përgjigje.
“61 kërkesa drejtuar bashkive, së bashku dhe me 11 kërkesa drejtuar bashkive të tjera që u kemi kërkuar informacion, kërkesat drejtuar SPAK, drejtorisë së Policisë së Shtetit, 12 kërkesa drejtuar inspektoriateve, Kadastrës, 12 ministrive, kërkesa drejtuar gjendjes civile, 4 kërkesa drejtuar OSHE, KESH, Posta Shqiptare dhe SHISH, fatkeqësisht konstatoj se nuk ka kthyer dhe nuk ka denjuar askush që të kthejë asnjë përgjigje”, tha Alibeaj.
Zv/kryetari i këtij Komisioni, deputeti i PS-së Toni Gogu tha se maxhoranca ndjek me të njëjtin interes dhe përgjegjshmëri, qoftë për mënyrën se si kërkojmë informacion dhe për këtë arsye gjëja e parë që duhet sqaruar është se kur janë nisur shkresat dhe në çfarë date kanë mbërritur në institucione, pasi jam i sigurt se gjithë ai informacion vuluminoz kërkon kohën e duhur.
Për Gazment Bardhin detyra e anëtarëve të këtij Komisioni nuk është të justifikojë asnjë nga institucionet shtetërore, pasi atyre u janë drejtuar kërkesat për informacion dhe duhet të vinin përgjigjet përkatëse.
Anëtarja tjetër e këtij Komisioni Hetimor, Klotilda Bushka u bëri thirrje anëtarëve që të mos nxitohen për të dalë në përfundime të parakohshme pa verifikuar me sekretarinë faktet nëse shkresat e dërguara kanë mbërritur në kohë tek institucionet përkatëse.