Komisioni i Ekonomisë rrëzon tre dekretet e Metës/Presidenca: Korrupsion legjislativ
Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar tre dekrete të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe Presidenca përmes një reagimi zyrtar, thotë se Komisioni për Ekonominë dhe Financat nuk ka njoftuar Institucionin e Presidentit të Republikës për të qënë prezent në shqyrtimin e Dekreteve, përmes përfaqësuesve të Tij. Presidenca thotë se ky është një korrupsion legjislativ. ”Këto veprime kanë për synim keqinformimin e publikut, fshehjen e antikushtetutshmërisë së këtyre ligjeve, cenimin e interesit publik, si dhe fshehjen e kostove që do të prodhojnë këto ligje, kosto që do të duhet t`i paguajnë të gjithë qytetarët shqiptarë në të ardhmen. Procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato. Në gjuhën juridike, kjo do të thotë “korrupsion legjislativ”, që është akti më i rëndë i shpërdorimit të pushtetit publik”.
Reagimi i plotë nga Presidenca
Komisioni për Ekonominë dhe Financat, ditën e djeshme dhe të sotme, në datat 16 dhe 17 Qershor 2020, ka shqyrtuar dhe ka vendosur rrëzimin e tre Dekrete të Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
– Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11486, datë 22.05.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 58/2020 “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës ‘BOT’ (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto-Romano, Durrës, miratuar me ligjin nr. 104/2015, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë koncesionare ‘Porti MBM (Multy Buoy Mooring)’, të ndryshuar”
– Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11493, datë 1.06.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”.
– Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11504, datë 08.06.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 64/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar” (përjashtimi nga TVSH i mjeteve lundruese të luksit dhe i jahteve);
Komisioni për Ekonominë dhe Financat nuk ka njoftuar Institucionin e Presidentit të Republikës për të qënë prezent në shqyrtimin e Dekreteve, përmes përfaqësuesve të Tij.
Ky veprim i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave është i përsëritur, sidomos kur shqyrtohen Dekrete për kthimin e ligjeve që denoncojnë antikushtetutshmërinë e tyre, cenimin e interesit publik e kombëtar, si dhe cenimin e financave të shtetit me ligje speciale me efekt favorizues për një grup të caktuar individësh.
Ky veprim i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese të transparencës në procesin legjislativ. Qëllimisht, kur shqyrtohen Dekretet e Presidentit të Republikës, ftohen për të qënë të pranishëm vetëm përfaqësues të Qeverisë, që bëjnë reklamimin e rradhës së ligjit, duke fshehur të metat e rënda që paraqesin këto akte të reja ligjore.
Këto veprime kanë për synim keqinformimin e publikut, fshehjen e antikushtetutshmërisë së këtyre ligjeve, cenimin e interesit publik, si dhe fshehjen e kostove që do të prodhojnë këto ligje, kosto që do të duhet t`i paguajnë të gjithë qytetarët shqiptarë në të ardhmen. Procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato. Në gjuhën juridike, kjo do të thotë “korrupsion legjislativ”, që është akti më i rëndë i shpërdorimit të pushtetit publik.
Arsyetimet e kthimit të ligjeve me Dekret nga Presidenti i Repulikës janë publike, dhe ftohen gjithë qytetarët t`i lexojnë, ashtu siç ftohen dhe të gjithë deputetët para seancës plenare, të njihen me to për të kuptuar në emër të cilave subjekte do të shkojnë votat e tyre “Pro”: për zhdoganime jahtesh e mjetesh lundruese luksi, apo dhënie licencash për aktivitete në fushën e shërbimeve të pagesave.
Ligji nuk mund të bëhet për një individ, as për dy. Ligji i adresohet gjithë shoqërisë dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara tij. Nëse ligji përdoret për të krijuar ombrellë mbrojtëse nga përgjegjësia penale e vendimmarrjeve në fusha sensitive, atëherë Kuvendi nuk po kujdeset më për të mirën publike, por për interesa të një grupi njerëzish të lidhur drejtpërdrejt me shumicën parlamentare.
Procesi ligjbërës dhe interesat klienteliste nuk mund të fusin në qorrsokak procesin e integrimit europian.
I bëjmë thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) të nisë hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve për të vënë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese klienteliste.
Bashkëlidhur linqet e faqes zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës, ku janë publikuar dekretet dhe arsyetimet e kthimit të ligjeve:
– http://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin-per-rishqyrtim-ne-kuvend-te-ligjit-nr-64-2020-arsyet-e-kthimit-per-rishqyrtim-te-ligjit/
– http://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin-per-rishqyrtim-ne-kuvend-te-ligjit-nr-58-2020-arsyet-e-kthimit-per-rishqyrtim-te-ligjit/
– http://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin-per-rishqyrtim-ne-kuvend-te-ligjit-nr-55-2020-arsyet-e-kthimit-per-rishqyrtim-te-ligjit/