Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme, takim me homologët në Berlin
Shqipëria dhe Gjermania kanë zhvilluar një takim të përbashkët ku pjesë e delegacion nga Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme ka qenë Znj. Arta Dade, Aldo Bumçi, Namik Dokle dhe Kastriot Islami. Takimi është zhvilluar në Berlin me Kryetarin e Komisionit homolog për Politikë të Jashtme të Bundestagut Gjerman, Z. Norbert Roettgen. Në këtë takim ka qenë dhe Ambasadori ynë në Gjermani Z.Artur Kuko.
Në këtë takim janë diskutuar një sërë çështjet si ai i bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani, reformat që qeveria Shqiptare po ndërmerr për anëtarësimin në BE, si dhe çështja e Kosovës.
Znj. Dade në fjalën e sajë ka theksuar se:" Bashkëpunimi rajonal është përmirësuar gjatë viteve të fundit si në nivelin dypalësh ashtu dhe në atë shumëpalësh. Shqipëria është e fokusuar në rritjen e bashkëpunimit rajonal, bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë dhe gjithë përfshirjes. Kontribut të rëndësishëm për këtë bashkëpunim do të japin projekte të tilla si Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimi rinor"
Sa i takon Kosovës u theksua mbështetja për proceset integruese të saj, ndonëse u bë me dije se nuk mirëpresim praktikat e ndodhura së fundmi në parlamentin e Kosovës. Znj. Dade bëri një pasqyrë të reformave kryesore të ndërmarra në vend, sa i takon reformës territoriale, reformës administrative, si dhe reformës në sistemin gjyqësor.
Pyetjes së Dr. Roettgen se si mundet që Gjermania të ndihmojë konkretisht Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, Znj. Dade ju përgjigj se aktualisht vendet tona janë përfshirë në Procesin e Berlinit, ku fjalët kyçe të bashkëpunimit janë ekonomia, infrastruktura dhe interkonektiviteti.
Në fjalën e tij Z. Bumçi shprehu mirënjohjen e tij kundrejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera partnere, tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave pa mbështetjen e tyre nuk do të ishin të mundura. Sipas tij, bazuar në raportin e OSBE-ODHIR mbi zgjedhjet lokale të këtij viti, i cilësuar si më i keqi që nga viti 2003, thuhet se shqiptarët kanë votuar jo të lirë nga frika dhe kërcënimi. Z. Islami tha rreth çështjes së emigrantëve nga vendi ynë, se Shqipëria është i pari vend në Ballkan që ka emigrantë ekonomik politikisht të motivuar. Shqipëria po bën një regres si rrjedhojë e korrupsionit, monopolizimit të biznesit dhe kontrollit të mediave.
Në mbyllje të takimit Znj. Dade ftoi Zotin Roettgen të vizitojë Shqipërinë dhe propozoi zhvillimin e takimeve periodike mes Komisioneve të politikës së jashtme të dy parlamenteve, propozim i cili u mirëprit nga z. Roettgen.
R.SH
KOHA JONË SONDAZH

