Komiteti i Ramës futi emigrantët në karantinë, media greke: Përpjekje për t’i dekurajuar
Kanë mbetur vetëm pesë ditë që shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit. Më 25 prill do të votohet për zgjedhjen e parlamentit të ri, ndërsa gara është e nxehtë mes dy kampeve politike.
Edi Rama kërkon një mandat të tretë dhe nga ana tjetër opozita me në krye Lulzim Bashën premtojnë të sjellin ndryshimin.
Situata politike në vend duket se po ndiqet me vëmendje edhe nga fqinjët. Mediat greke ditët e fundit i kanë kushtuar rëndësi zgjedhjeve në vend.
Gazeta Protothema shkruan se Shqipëria është në prag të ndryshimit të pushtetit, ndërkohë që Rama po përpiqet të rizgjidhet.
Gjithashtu media greke ndalet edhe tek vendimi i Komitetit të Ekspertëve për karantinën 14-ditore të emigrantëve që jetojnë në Greqi. Ky vendim i cili erdhi vetëm pesë dite para zgjedhjeve për protothema.gr është përpjekje për t’i dekurajuar.
Artikulli i plotë:
Në 25 Prill Shqipëria do të mbajë zgjedhje të përgjithshme dhe për shkak të një serie dështimesh, korrupsioni, skandalesh, niveli të lartë të varfërisë dhe hapave të prapambetur që rezultuan në 15 kushte të vështira për hapjen e negociatave, Shqipëria është në prag të ndryshimit të pushtetit.
Edi Rama do të përpiqet të rizgjidhet megjithëse analistët besojnë se korrupsioni dhe përparimi i ngadaltë në negociatat e integrimit në Bashkimin Europian do tja bëjnë të vështirë kryeministrin shqiptar luftën për të qëndruar në pushtet.
Skandali i fundit ka të bëjë me përdorimin e të dhënave personale nga E-Albania, një portal qeveritar që mban të dhëna private dhe të mbrojtura për çdo qytetar të Shqipërisë. Të dhënat dyshohet se i janë dhënë partisë së Edi Ramës dhe prandaj secilit qytetar i është caktuar një patronazhist, anëtar i partisë. Në zbulimin e këtij skandali shënimet e individëve patronazhistë përfshinin deklarata raciste dhe madje edhe plane për izolimin e votuesve të caktuar duke i mbajtur ata me forcë ditën e zgjedhjeve.
Vetëm disa ditë nga zgjedhjet, qeveria e Edi Ramës imponon karantinë 14-ditore për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe që synojnë të udhëtojnë në vendlindjet e tyre, një veprim i interpretuar si një përpjekje për të dekurajuar ata që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Artikulli përkatës ekskluziv nga protothema.gr raportoi për këtë situatë. Zgjedhjet do të jenë gjithashtu një mundësi për pakicën etnike greke të vendit për të shprehur ndjenjat e tyre, veçanërisht pas vrasjes së Konstandinos Katsifas në 2018 dhe incidentet e Himarës, ku anëtarëve të pakicës iu konfiskuan shtëpitë dhe u shkatërruan pa paralajmërimin e duhur.