Kompania zvicerane e naftës, letër drejtuesve kryesorë të BIRN: Sulmet e BIRN-Albania, lojë e pistë për interes të një pale të tretë
Pas disa shkrimeve të botuara nga agjencia BIRN në Tiranë, kompania zvicerane e naftës që operon në Shqipëri “Terraoil Swiss AG”, i ka dërguar një ankesë zyrave qendrore të BIRN (Balkan Investigative Reporting Network) me qendër në Serbi.
Në dokumentin drejtuar drejtoreshës së rrjetit investigativ ballkanik, Marie Ristic, kryetari i bordit të kompanisë “Terraoil Swiss AG”, Hans Peter Vogt deklaron se drejtuesit e degës së BIRN në Shqipëri janë përfshirë në një fushatë lobimi kundër kësaj kompanie për interesa që nuk kanë të bëjnë me profesionalizimin gazetaresk.
Në letrën e “Terraoil Swiss AG”, të cilën “Koha Jonë” po e publikon të plotë ashtu siç ka publikuar dhe shkrimet e BIRN Albania kundër kompanisë, thuhet se “…do të dëshironim të ishim ne të gabuar në vlerësimin tonë se BIRN Albania qëllimisht është përfshirë në një aferë të tillë për “interes të një pale të tretë, siç ua kemi theksuar në përgënjeshtrimin e dërguar në datën 08.02.2020, dhe kjo do të ishte gjysma e së keqes, por fatkeqësisht këmbëngulja e tij për t’u përfshirë edhe më tej në analiza çështjesh gjyqësore që janë ende në proces gjykimi dekonspiron hapur përfshirjen e tij në mënyrë të qëllimshme në këtë “lojë të pistë” duke keqpërdorur në mënyrë ekstreme besueshmërinë e kompanisë që ju përfaqësoni”.
“Terraoil Swiss AG” në ankesën e saj akuzon kryeredaktorin e BIRN Albania, Besar Likmet dhe kërkon nga zyrat qendrore të BIRN një qëndrim publik në lidhje me sulmet që i janë bërë kompanisë së saj. “Qëndrimi juaj publik ndaj një investigimi të tillë do të nxirrte në dritë të diellit insinuatat e BIRN-Albania për lidhjet e Terraoil Swiss me “gjigandin Gazprom” dhe “interesat ruse”, lidhjet e Terraoil Swiss me “interesat serbe”, “nxjerrjen e sekretit shtetëror” e akuza të tjera si këto, si dhe do të vërtetojë se kush qëndron në prapavijën e kësaj kryqëzate mediatike, subjekte dhe përfaqësues të të cilave BIRN Albania është angazhuar t’i përfaqësojë në “mbrojtje të interesave të tyre që u janë shkelur dhe cenuar”, sipas investigimit të kryer prej tij…”,- thuhet ndër të tjera në ankesën e kompanisë Terraoil Swiss drejtuar drejtores së BIRN, Marie Ristic.
Shënim i Redaksisë: Në respekt të informimit të publikut, “Koha Jonë” ka botuar shkrimin e “BIRN Albania” kundër kompanisë “Terraoil Swiss AG”, po ashtu dhe përgënjeshtrimin e kompanisë ndaj artikullit të datës 7 shkurt të BIRN. Gazeta mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim të BIRN-Albania dhe kryeredaktorit të saj, Besar Likmeta, ndaj ankesës që Terraoil Swiss AG ka bërë në drejtorinë qendrore të agjencisë së lajmeve “BIRN”.
Reagimi i plotë i Terraoil Swiss AG për drejtuar zyrarave qëndore të BIRN
Reagim
Drejtuar: Zonjes Marie Ristic
Zyra Qendrore e BIRN
Beograd
E nderuar zj. Ristic,
Në vijim te shantazhit mediatik dhe dizinformimit që me kokfortesi po vazhdon t’i serviret opinionit publik brenda dhe jashtë Shqipërisë nga Kryeredaktori i Birn Albania, z. Besar Likmeta, duke keqpërdorur besueshmërinë e agjensisë BIRN-Albania të cilën ju e përfaqësoni, e vlerësojmë të arsyeshme që t’ju bëjmë thirrje që të analizoni me seriozitet veprimet e tij të rënda, me të cilat është përfshirë në një veprimtari të pandershme nga pikpamja etike dhe profesionale si dhe të paligjshme, veprime me te cilat kenë dëmtuar dhe po vazhdojnë të dëmtojnë rëndë kompaninë Terraoi Swiss dhe interesat publike të qindra aksionarëve të saj publik, të nxitur e shtyrë nga motive të ulta që nuk kanë asnjë lidhje me mbrojtjen e interesave publike për të cilat është e motivuar Agjensia prestigjoze BIRN.
Edhe pas këtij dëmi të rënde që na është shkaktuar, do të dëshironim që të ishim ne të gabuar në vlerësimin tonë, se BIRN – Albania qëllimisht është përfshirë në një aferë të tillë “per interes te nje pale te trete” sic jua kemi theksuar edhe në përgënjeshtrimin që ju kemi dërguar më datën 8 shkurt 2020; dhe kjo do të ishte gjysma e së keqes, por fatkeqësisht, këmbëngulja e tij per t’u përfshirë edhe më tej në analiza çështjesh gjyqësore që janë ende në proces gjykimi, dekonspiron hapur përfshirjen e tij në mënyre të qëllimshme në këtë “lojë të pistë”, duke keqpërdorur në mënyrë ekstreme besimin dhe besueshmërinë e Agjensisë që Ju përfaqësoni, gjë që na përforcon bindjen se kjo fushatë e egër spekullimi, mashtrimi e shantazhi mediatik nuk ka ndodhur si pasoje e ndonje keqkuptimi, naiviteti apo pakujdesie, por ka ndodhur në mënyrë të qëllimshme për të mbështetur e favorizuar grupe me interesa të errëta që po shantazhojnë për t’u ricikluar përsëri në aferat e tyre të hapura, pasojat e të cilëve akoma nuk janë mbyllur. Këtë bindje na e përforcojne plotësisht edhe reagimet e sotme të disa mediave të “vogla” në Shqipëri që nuk janë në nivelin e medias që Ju përfaqësoni, por që kane kapur “fillin e lëmshit” të krijuar dhe mbetet të besojmë se ky lëmsh do të shpërbëhet deri në fund.
Do të ishte në nderin Tuaj profesional, por edhe një “ndjesë” ndaj Terraoil Swiss si dhe Agjensisë BIRN, besueshmëria e së cilës është keqpërdorur, që “këtë fill të këtij lëmshi” që u ekspozua sot në media, ju personalisht ta vazhdoni “shpërbërjen” e tij, nëpërmjet një investigimi shumë të thjeshtë, real e të vërtetë, veprim me të cilin me të vërtetë do t’i bëni një shërbim te madh interesit publik brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Qëndrimi juaj publik ndaj një investigimi të tillë do të nxjerri në dritën e diellit insinuatat e BIRN- Albania per lidhjet e Terraoil Swiss me “gjigandin Gazprom” dhe “interesat ruse”, lidhjet e Terraoil Swiss me “interesat sebe”, nxjerrjen e “sekretit shtetëror” e akuza të tjera si këto, si dhe do të vërtetojë se kush qëndron në prapavijën e kësaj kryqëzate mediatike, subjekte dhe përfaqësues të të cilave BIRN-Albania është angazhuar t’i përfaqësojë në “mbrojtjen e interesave të tyre që u janë shkelur e cënuar” sipas “investigimit” të kryer prej tij…
Ne do të shpresojmë për një mundësi tjetër Tuajën zj. Ristic si dhe të prestigjozes BIRN qe Ju e perfaqësoni, se do ta analizoni me shume seriozitet e ndershmëri shqetësimin tonë të përsëritur nga ku deshirojmë të dilni me një qëndrim publik realist për këtë çeshtje, në menyrë që qëllimi dhe besueshmëria e agjensisë prestigjoze BIRN te mbetet e pacënuar.
Mbetet që të shpresojmë ende në mirëkuptimin Tuaj.
Me respekt,
Kryetari i Bordit,
Hans-Peter Vogt


KOHA JONË SONDAZH

