Konferenca e donatorëve, Presidenti tregon hapat: Sigurimi i fondeve kërkon konsensus politik

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kërkon transparencë për menaxhimin e fondeve për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, Kreu i Shtetit kërkon konsensus politik në përpjekjen për të kërkuar fonde nga konferenca e donatorëve, por dhe rialokimin e disa shpenzimeve të planifikuara për vitin 2020 për fondin e emergjencës.

Cila do të ishte mënyra më e mirë që të mblidheshin sa më shumë fonde në funksion të tejkalimit të pasojave të tërmetit?

E rëndësishme është që sigurimi maksimal i fondeve do të kërkojë: (i) një konsensus të gjerë politik (ii) një besim mbi angazhimin real të institucioneve shqiptare për rimëkëmbjen ekonomike (iii) sigurimin e shpejtë të fondeve për arsye të emergjencave të tjera që mund të shfaqen. Për të pasur konferencë të donatorëve të suksesshme do të duhet:

–Përgatitja dhe hartimi i një dokumentacioni të plotë me vlerësime realiste të dëmeve dhe humbjeve të shkaktuara nga tërmeti;

–Ndarja sipas kategorive e dëmeve të shkaktuara, si dhe prioritetet e mbulimit të nevojave;

– Hartimi i një strategjie të besueshme të rindërtimit në kohë dhe të detajuar sipas prioriteteve;

– Nevojën e një konsensusi të institucioneve qeverisëse, partive politike si dhe organizatave joqeveritare;

– Angazhimin financiar, në radhë të parë i qeverisë, i miratuar me ligj mbi fondet e rindërtimit që do të vihen në dispozicion;

– Struktura ekzekutive transparente dhe që gëzojnë një besim në zbatimin e strategjisë së miratuar dhe përdorimit të fondeve;

– Përgatitjen me transparencë të një raporti të përditësuar të fondeve të dhuruara nga donatorët në vlerë dhe në natyrë;

– Mundësisht, mbledhjen e fondeve dhe transferimin e tyre në një llogari të vetme të Qeverisë;

– Përgatitjen e një plani të rindërtimit sipas një kalendari transparent dhe raportimin e zbatimit të tij;

– Përgatitjen me transparencë të procesit të prokurimit dhe shpenzimeve të fondeve për rimëkëmbjen ekonomike dhe rezultateve të arritura;

– Ngritjen e një komisioni për auditimin dhe vlerësimin e përdorimit të fondeve të rimëkëmbjes.

SHKARKO APP