Konfindustria: Të riformatohet qeveria me një Ministri Energjie, pasi sot ka keqmenaxhim

Kryeministri Edi Rama dje prezantoi planin dhe premtoi se përtej krizës globale, Shqipëria nuk do të përjetojë një rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe nuk do të ketë ndërprerje të dritave. Konfindustria kërkon nga Rama që ti bëjë riformatimit të qeverisë me një portofol të veçantë për energjinë.

“Konfindustria i kërkon Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, të riformatojë Qeverinë e krijuar pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, duke rikrijuar si portofol të veçantë Ministrinë e Energjisë. Kërkesa vjen, duke pasur parasysh shpalljen nga Kryeministri të rrezikut të krizës energjetike në vend”.

Sipas tyre Ministria e Energjetikës mungon si portofol i veçantë duke e lënë të përfaqësuar vetëm si shtojcë të Ministrisë së Infrastrukturës, sektorin strategjik të energjisë dhe karburanteve.

“Një pjesë e rëndësishme e arsyeve të krizës energjetike të sotme vjen nga politikat e gabuara, menaxhimi i dobët, pasojë edhe e mospërfaqësimit të duhur qeveritar. Disa projekte dhe arritje pozitive, në prodhimin dhe përmirësimin e menaxhimit të sektorit te energjetik gjatë mandatit të parë, u ndërprenë në vazhdim”, vijon deklarata.

Konfindustria vlerëson edhe se Shqipëria me sistemin e prodhimit të plotë të energjisë elektrike nga burimet ujore, nëse do të kishte politika dhe menaxhim profesional dhe të pakorruptuar, jo vetëm nuk duhet të ishte prekur nga kriza e sotme e tregjeve ndërkombëtare, por duhet të kishte përfituar epërsi konkurruese ekonomike në rajon.

SHKARKO APP