Kongresi i PS, ministri Mazniku: Do të ketë një program për mbështetjen e bashkive
Ministri i Shtetit për Çështjet e Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku gjatë fjalës së tij në panelin e tretë të Kongresit të PS-së, tha se në vijim do të ketë një program mbështetje për bashkitë e vendit.
Po ashtu ai theksoi se duhet të ketë një përgatitje të bashkive për të ideuar projekte që u vijnë në shërbim qytetarëve për t’i shndërruar qytetet në agjentë ekonomikë.
“Jemi 10 vjet nga një reformë e jashtëzakonshme, ajo administrative e vitit 2021 ku nga 370 bashki shkuam në 61, duke rritur shërbimet dhe duke sjellë një impakt shumë të madh në zhvillimin e qyteteve. 70% e ligjeve të BE zbatohen në nivel vendor. Pjesa më e madhe e financimit zbatohet në nivel vendor. Bashkitë tona sot duhet të bëhen gati sot për të ideuar projekte që kthehen në shërbim të qytetarëve. Duhet të ndërrojmë rrënjësisht mënyrën sesi shohim qytetet tona duke i kthyer në agjentë të zhvillimit ekonomik”,-tha Mazniku.
Në fund ministri Mazniku shtoi se “synimi i përgjithshëm i agjendës 2030 është që ne të kemi bashki të forta që i dali zot territorit të tyre dhe që kthehen në agjent të zhvillimit ekonomik të tyre dhe vetëm PS mund ta realizojë këtë gjë”.