Kongresi i PS vendos për referendum. Debate të ashpra mes Ramës e Blushit
Kongresi i Partisë Socialiste vendosi sot që çështja e interesimit të statutit të PS-së për mandatin e kreu të partisë të votohet në referendum. Pas shumë debatesh mes Edi Ramës, Ben Blushi dhe Gramoz Ruçit, delegatët vendosën të mbështesnin idenë e Ramës për referendum.
Referendumi do mbahet më 9 prill dhe do të pyesë anëtarët e PS nëse duhet të ketë zgjedhje për kryetarin e PS, apo mandati i kryetarit aktual konfirmohet pas fitores së zgjedhjeve të përgjithshme.
Ndërsa Ben Blushi kërkoi që të kishte zgjedhje për kreun e PS-së dhe jo referendum për interpretimin e statutit për mandatin e kryetarit të partisë.
Pas vendimit të kongresit, Blushi u shpreh se e gjitha kjo është një farsë. “Edi Rama vendosi të garojë përballë me Ramën. Është i vetmi njeri që e ktheu vetën në çështje, se referendumet janë çështje dhe jo individë. U vendos referendum, por ende nuk dimë kush është pyetje. Rama është një pikëpyetje. Është e pamundur që një referendum të krijojë një legjitimitet për një njeri”,- tha Ben Blushi.
Pjesë nga debatet në Kongres
Edi Rama: Shumica nuk duhet të marrë fuqinë e atyre që e bëjnë zgjedhjen e kryetarit. Propozoj një referendum për t’i dhënë fund çdo alibie. Një referendum demokratik brenda partisë që rikonfirmon atë që ne jemi. Të tregojmë që pavarësisht shumicës nga cepi në cep të kësaj salle, nuk i imponohemi një pakice sado të vogël, por i japim mundësi edhe asaj që të ndihet mirë duke marrë përgjigjen jo me tirani, por me votë të lirë dhe të fshehtë nga gjithë anëtarët e PS. Ta marrë përgjigjen jo nga lartë, por nga poshtë.
Ben Blushi: Besoj se parafolësi ka konflikt interesi lidhur me këtë temë, por megjithatë kjo nuk është surprizë. Referendumi nuk bëhet për njerëz, zgjedhjet bëhen për njerëz. Ky statut që ne miratuam hyn në fuqi për zgjedhjet e ardhshme për kryetar të PS dhe çdo normë që sanksionojmë. Ne sot po ndërtojmë një normë që anulon në vitin 2016 zgjedhjet që duhet të ishin bërë në 2013. Është e pavërtetë që partitë në europë nuk bëjnë zgjedhje pasi marin pushtetin. Kush i fiton zgjedhjet, kryetari, apo partia? Nëse fiton partia, ajo vendos kush drejton, qoftë në opozitë, qoftë në pushtet. Në Gjermani, Angela Merkel është zgjedhur gjithmonë në parti sa herë ka fituar zgjedhjet. Tony Blair iku nga posti i kryetarit dhe kryeministrit kur i tha partia. Këtë referendum e konsideroj antistatutor, të paarsyeshëm, të papranueshëm dhe një hile për t’i ikur garës brenda PS. Ka 3 vjet që ndodh kjo. Sot iu hoq e drejta kongresit, që votoi një statut në parim dhe nen për nen ia la komisionit që hartoi statutin. Kjo është një anomali. Kthejeni statutin mbrapsht, të marrin kohë sa të duan dhe më pas le ta votojmë prap. Kjo mënyrë se si po operojmë sot nuk është demokraci, kjo është privatizim i një partie nga një njeri, që thotë unë nuk zgjidhem.
Edi Rama: Këtu bëhet një muhabet i kotë. Janë disa vetë që thonë ‘duhet bërë kështu, sepse ne e gjykojmë kështu’. E drejta e tyre. Por janë 1 mijë të tjerë që thonë se duhet bërë kështu, se ne e gjykojmë kështu. Kush e ndan këtë punë? Nuk mundet dot që të vazhdojmë të tororisemi me një çështje ku ka kaq shumë përpjekje për të manipuluar thelbin. Është e pavërtetë që kryeministrin e britanisë partia e fut në zgjedhje. Kryeministrin e britanisë partia e heq kur grupi parlamentar apo kongresi vendos. Dhe në statutin e ri këtë mundësi partia e ka. Nëse 51 për qind e këtij kongresi mendojnë se duhet ndërruar kryetari i partisë, ata e fusin atë në zgjedhje. Është i pavërtetë që qenka i tillë modeli gjerman. Injoranca nuk mund të jetë argument. Partitë që zgjedhin kryetarin me kongres bëjnë zgjedhje ciklike. Partitë që e zgjedhin me 1 anëtar një votë kur fitojnë të drejtën për të qeverisur, nuk zgjedhin kryetar përsa kohë ai është kryeministër. Kryeministrin mund ta largojë vetëm grupi parlamentar. Kjo është e vërteta, në Britani e vende të tjera. Këtu nuk bëhet fjalë për referendum për personin, por për parimin dhe për çështjen, për të mos lejuar që alibitë për këtë statut të mos bëhen flamur për të rrëzuar qeverinë.
Vangjush Dako: Për mua statuti i ri është i miratuar. Neni 93 i tij thotë se statuti i vjetër është shfuqizuar. Statuti i ri nuk e përmban që ne të bëjmë referendumin. Kryetarin nuk mund ta shkarkoj Ben Blushi se do të bëhet kryeministër…
Arta Dade: Statuti i ri thotë: Karriera e çdo anëtari të partisë bazohet në meritën individuale dhe në kontribut. Kam një pyetje për grupin e punës, detyra përfaqësuese e kryetarit të partisë jepet si detyrë apo jo. Unë nuk kam votuar fare. Po bëni një statut tjetër pa shfuqizuar të parin. Grupi i punës të lexojë statutin dhe të më japë përgjigje.
Gramoz Ruçi: Ka të drejtë për mocione mosbesimi nga grupi parlamentar, asambleja, anëtarët e kongresit. A ka një mocion mosbesimi ndaj Edi Ramës? Jo, nuk ka.
Fatmir Xhafaj: Sot është miratuar statuti. Nëse është miratuar në parim është gabim. Por nga sot ky statut ka hyrë në fuqi, që do të thotë se ka shfuqizuar statutin e mëparshëm dhe ne nuk mund të bëjmë një proces bazuar në një ligj të shfuqizuar. Ashtu sikundër është absolutisht e gabuar ideja e referendumit, e para sepse nuk është çështje e brendshme organizative, e dyta sepse nuk kuptoj një gjë: këtë statut e miratuam sot, ju do shkoni në referendum për ta verifikuar? O është, o nuk është statuti. Unë do të votoj kundër mbajtjes së referendumit. Përgjigjen e ka dhënë kongresi që ka votuar këtë statut.
(Pas votimit të kongresit për referendum)
Ben Blushi: Kjo shpikje referendare arriti vetëm një gjë, që Edi Rama të zgjidhet para Edi Ramës. Ne ende nuk e dimë kush është pyetja. Edi Rama e konsideroi veten çështje. U kthye në një pikëpyetje. Është sanksionim i uzurpimit, për ta kthyer partinë në një trupë të verbër dhe amorfe. Referendumet nuk mund të zëvendësojnë zgjedhjet. Po të ishte kështu, nuk do të kishte zgjedhje në asnjë vend.
Edi Rama: Kërkesa ishe një alibi me qëllim të shpallur për të rrëzuar qeverinë e PS. Nëse anëtarësia do kërkojë zgjedhje për kryetar do bëjmë zgjedhje, nëse anëtarësia do konfirmojë vendimin e kahershëm dhe të sotëm për të mos bërë zgjedhjet pasi janë pakuptima çështja është e mbyllur për sa na takon mbase jo për ata që kanë alibi. Ky është një shembull i mënyrës sesi PS arrin ti shtrijë kufijtë e përpjekjes për durim përtej çdo lloj limiti dhe besoj se kemi bërë diçka të mirë për të respektuar një moment që e dini të gjithë që është një alibi fals.
Rebelet çmohen, por nga ana tjetër PS është një parti që ka vepruar menjëherë kur rebelimi ka shkuar përtej parimeve dhe vlerave të përbashkëta dhe jashtë horizontit të qëllimit tonë të përbashkët. Shpresoj që ky të mos jetë rasti dhe nuk do të doja të ishte rasti.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=UaPZp1D0ebM&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=me788oG1TDM&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]