Konsensusi për “Drejtësinë”, Vasili letër Fatmir Xhafajt: Na informoni
Përpjekja për të gjetur kompromis është fokusuar tek dy partitë e mëdha dhe në axhendën e Victoria Nuland nuk ishte një takim me LSI. Megjithatë, LSI-ja nuk ka heshtur. Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh dhe anëtar i Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi, Petrit Vasili, i është drejtuar me një letër deputetit socialist dhe kreut Fatmir Xhafaj, ku i kërkon informacion lidhur me propozimet e fundit që po negociohen mes palëve për reformën në drejtësi.
Vasili thotë se është domosdoshmëri politike dhe parlamentare dhe detyrim i tij si kryetar i grupit parlamentar të LSI për të informuar grupin si dhe për të formësuar një qëndrim politik lidhur me to. Edhe nëse negocimi është konfidencial, sërish Vasili kërkon të informohet. “Siç është bërë e njohur edhe në punimet e komisionit, që ju drejtoni në cilësinë e kryetarit, krahas dakordësisë së gjerë për shumë çështje, qoftë të karakterit të ndryshimeve kushtetuese ashtu edhe të ligjeve, që rrjedhin si pasojë e këtyre ndryshimeve kushtetuese, ka edhe disa momente për të cilat nuk është gjetur mirëkuptimi mes maxhorancës dhe opozitës në këtë komision.

Për këto çështje siç dihet opozita nuk është më e pranishme në punimet e komisionit të posaçëm, i cili ndërkohë po vijon punën e tij. Gjatë punës në komision si edhe në takime me përfaqësues ndërkombëtarë të përfshirë në çështjen e reformës në sistemin e drejtësisë është folur për negocime të disa varianteve konkrete për gjetjen e mirëkuptimit mes maxhorancës dhe opozitës lidhur me çështje të mbetura pezull e sidomos çështjes së procesit të vlerësimit (vetingut). Si anëtar i Komisionit të Posaçëm në sistemin e drejtësisë, kërkoj nga ju të informohem konkretisht lidhur me këto variante zgjidhjeje, të cilat po negociohen, pasi kjo është një domosdoshmëri politike dhe parlamentare si dhe detyrim i imi edhe në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së për të informuar grupin parlamentar si dhe për të formësuar një qëndrim politik e profesional të argumentuar lidhur me to”, thuhet në letrën dërguar Fatmir Xhafës.
Por edhe në rast se ky negocim është konfidencial, Vasili kërkon që edhe për këtë të informohet. “Nëse ky negocim është tërësisht konfidencial dhe është e pamundur për të më informuar konkretisht për të dhe variantet konkrete që diskutohen, ju lutem më informoni”, shkruan Vasili. Komisioni i Posaçëm i reformës në drejtësi herët e fundit ka zhvilluar punimet pa praninë e opozitës, e cila e braktisi komisionin me argumentin se propozimi i saj i vendeve të rezervuara bazuar në rekomandimin 88 nuk është marrë në konsideratë. Pas heqjes dorë nga vendet e rezervuara, PD-ja bëri një propozim të ri, por duke mbetur sërish tek neni 88 i rekomandimit të Komisionit të Venecias për krijimin e një komisioni “ad hoc” për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Duke parë lëvizjen e zbutur të opozitës, maxhoranca ka treguar gatishmëri për të negociuar kërkesat e saj duke përfshirë këtu edhe “Veting”-un, që ka të bëjë me vlerësimin e figurës së zyrtarëve që do të zgjidhen për institucionet e drejtësisë në vend.
KOHA JONË SONDAZH

