Konstituohet këshilli bashkiak, Llatja: Mandati i dytë do të jetë mandat ndryshimi për Elbasanin
Kryetari i zgjedhur në një mandat të dytë të bashkisë së Elbasanit në zgjedhjet e 14 majit Gledian Llatja nis sot zyrtarisht punën.
Në fjalën e tij në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, pas betimit kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja shprehu besimin se së bashku me të gjithë anëtarët e këtij këshilli bashkiak do të punojë në funksion të interesave të qytetit dhe qytetarëve, duke i uruar suksese të gjithë këshilltarëve në këtë mandat.
“Ky mandat i ri është më shumë shpresë për qytetarët, si edhe më shumë punë që na përket ne. Besimin e plotë që kemi pasur ndaj qytetarëve të Elbasanit do ta shpërblejmë me punë dhe me përkushtim. Besoj shumë se këtë mandat të ri do të bëjmë gjëra të mira për Elbasanin, për qytetin dhe për fshatin, të bëjmë punë sa më të mira me qëllim zhvillimin e qytetit”, theksoi Llatja.
Kryebashkiaku Llatja u shpreh se “uroj që të kemi sa më shumë konsensus me të gjithë këshilltarët për vemdimmarrjet kryesore zhvillimore të Elbasanit, projekte të mëdha të cilat ne i kemi nisur këtë 4 -vjecar që sapo lamë dhe me më shumë punë për 4 – vjecarin e ardhshëm, me më shumë projekte zhvillimore për qytetin dhe fshatin, për ekonominë, turizmin, dhe rininë.
Mandati i dytë jam i bindur se do të jetë një mandat ndryshimi për Elbasanin”, tha Llatja.
Në vijim ai një falenderim e ka bërë për të gjithë qytetarët elbasanas jo vetëm socialistët por të gjithë qytetarët që e mbështetën dhe e besuan.
“ Të jesh kryetar bashkie duhet të jesh jo vetëm për ata që na votuan, por për të gjithë qytetarët të cilët jetojnë , punojnë dhe që duan përparimin e vendit të tyre”, tha Llatja.
Në ceremoninë e konsitituimit të këshillit bashkiak kryetar i këtij këshilli u zgjodh Lutfi Lala.
Në zgjedhjet për këshillin bashkiak, PS mori 50% të votave dhe 28 mandate nga 51 anëtarët e këshillit. Bashkë Fitojmë mori 22.5% të votave dhe 12 mandate ndërsa Partia Demokratike mori 13% të votave dhe 7 mandate. Partia Demokracia Sociale, Partia Socialdemokrate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Partia e Gjelbër morën nga një mandat secila.