Konventa e LSI, Spahiu: Rrugëtimi ynë në dekadën e shpresës dhe ringritjes kombëtare nis sot, nis tani!

Gjate fjales se tij në konventën e LSI Tiranë, ish-deputeti Përparim Spahiu deklaroi se rrugëtimi ynë në dekadën e shpresës dhe ringritjes kombëtare nis sot, nis tani!

Fjala e ish-deputetit Përparim Spahiu

Të dashur e të nderuar miq, anëtar e simpatizantë të LSI-së!

Përshëndetje të gjithëve!

Në këtë fillim viti dua ta nis sot fjalën time me urimin Gëzuar Vitin e Ri 2020, qoftë një vit i mbarë e i begatë për familjet tuaja, por dhe për familjet e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë.

Ne e nisim këtë vit të ri politik me Konventën e Tiranës. LSI-ja nis kështu aksion e saj politik me organizimin e të gjitha strukturave të saj, organizim që do të përkojë me zgjedhje politike, që ne besojmë se do të jenë të shpejta, sepse janë alternativa e vetme e zgjidhjes së krizës së rëndë që ka mbërthyer vendin e që realizimi i tyre në kushte normale, larg vjedhjes, shitblerjes e korrupsionit do ta kthejnë Shqipërinë në një vend normal, krahas vendeve të tjera me demokraci të zhvilluar.

Kriza që ka mbërthyer vendin është një krizë e thellë që ka përfshirë të gjitha strukturat ekzekutive e legjislative, por mbi të gjitha, një krizë e madhe besimi dhe shprese, që ka çuar në largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. Çdo ditë të vitit zhgënjimi i qytetarëve bëhet gjithnjë e më i madh e më i thellë, kur shikojnë paqartësinë e perspektivës nga mungesa e vendeve të punës, nga shpërdorimet e shumta të zyrtarëve të shtetit, nga PPP dhe koncensionet që kane marre një shtrirje të paimagjinueshme. Janë të shumtë treguesit negativë të Qeverisë që po keqdrejton vendin prej disa vitesh, duke mos shënuar asnjë rezultat nga premtimet me të cilat erdhi në pushtet.

Na takon ne si LSI, si forcë politike progresiste, por dhe të gjithë frontit opozitar që të drejtojmë dhe të çojmë përpara aksionin e nisur që nga viti 2017 e që kulmoi me protestat masive kundër qeverisë së “Rilindjes” të vitit që sapo lamë pas.

Ne me strukturat tona do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të arrijmë objektivat tona duke ngjallur shpresën se ky vend, Shqipëria jonë e dashur, mund të bëhet duke punuar fort e me ndershmëri secili në frontin e tij, pa u ndaluar nga pengesat që do na dalin përpara të qëllimshme ose jo. Forca e LSI-së mbështetet te anëtarësia jonë, te të rinjtë e të rejat që janë e ardhmja e vendit dhe që mund të bëjnë mrekullira me energjitë e tyre. Ne kemi besim të plotë që do të kemi mbështetjen tuaj për t’i shërbyer përparimit të vendit dhe përmirësimit të jetesës e kthimit të shpresës.

Edhe pse si deputet i zgjedhur dy herë në qarkun Dibër, Kryesia e LSI-së më ka besuar të drejtoj dhe të koordinoj organizimin politik të Lsi-së në Tiranë. Unë ndjehem i vlerësuar por dhe i motivuar ta kryej me ndërgjegje dhe përkushtim këtë detyrë të vështirë e me përgjegjësi të madhe për fatet e rrugës sonë në të ardhmen. Për këtë falënderoj kryesinë e saj dhe në veçanti kryetaren e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi, për besimin që patën duke më caktuar këtë detyrë. Shpresoj të dalim faqebardhë në këtë mision kaq të rëndësishëm dhe me ndihmën e anëtarësisë sonë të mrekullueshme.

Tirana është qarku më i madh i vendit, i cili përfaqësohet me 25 % të vendeve në parlament por dhe qyteti kryesor i drejtimit administrativ dhe ekzekutiv. Ndaj sot ftoj jo vetëm anëtarët dhe simpatizantët e LSI, por të gjithë ata që duan të jetojnë në Shqipëri si dhe të gjithë ata që duan të kthehen e të jetojnë këtu, të angazhohen dhe të bëhen pjesë në vendimmarrje dhe ata, që me zgjedhjen e tyre si deputetë, kryetarë bashkish, anëtarë këshillash bashkiakë, të bëhen pjesë e qeverisjes vendore e qendrore, duke punuar me përkushtim e ndershmëri.

Lëvizja Socialiste për Integrim si forcë politike që gjithmonë ka qenë e angazhuar në ruajtjen e stabilitetit, si atë politik por dhe atë ekonomik, është një forcë politike që mbështetet në marrëdhënien e thjeshtë me njerëzit dhe mbetet gjithmonë një derë e hapur për këdo që vërtet do të kontribuojë në ndryshim e këtij realiteti që jetojmë, duke i qëndruar besnike orientimit të saj që nga themelimi.

Duke përfunduar shpreh besimin e plotë se së bashku do t’ia dalim të riorganizohemi e të realizojmë qëllimet tona në të mirë të vendit, në të mirë të shqiptarëve për të përmirësuar jetesën e tyre, për të kthyer besimin e shpresën për një të ardhme më të mirë që të rinjtë të mos braktisin vendin por ta ndërtojnë të ardhmen e tyre e të familjeve të tyre këtu.

Personalisht mendoj, se në këtë vit që sapo filloji, Opozita e Bashkuar, duhet të shënojë një rekord të ri Përfaqësimi!
Të Përfaqësojë pra, me çdo kusht dhe me çdo çmim, vullnetin shpërthyes të shumicës absolute të shqiptarëve për një ndryshim rrënjësor në çdo qelizë të jetës së tyre.
Shqiptarët, mbështetës ose jo të LSI, duhet të marrin një mesazh të qartë, që Opozitarizmi nuk është pjesë e një loje Politike, por një betejë e sinqertë dhe e mirëfilltë, për një ndryshim të vërtetë, ku shqiptarët dhe jo Oligarkia pranë pushtetit, të jenë zotër të fateve të Vendit.

SHKARKO APP