Korçë, Rama: Sipërmarrësit më shumë sytë nga fshati
Në vijim të inspektimeve në qarkun e Korçës, Kryeministri Edi Rama u ndal dje në dy sipërmarrje të industrisë së përpunimit të mishit, të mbështetura me financime nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Fillimisht, Kryeministri vizitoi një fabrikë bashkëkohore të përpunimit të mishit në Bulgarec. Kjo sipërmarrje është mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe përmes subvencionit të përfituar janë shtuar dy makineri të reja dhe ambiente të reja, me qëllim rritjen e kapacitetit prodhues të produkteve të saj. Fabrika “Fixpro” bën një cikël të mbyllur në treg, duke filluar nga përpunimi e deri në ambalazhim e produkteve të mishit dhe operon në të gjithë vendin, me 6 distributorë, në Sarandë, Gjirokastër, Berat, Patos, Lushnje, Vlorë.
Përfaqësuesi i “FixPro” tha se aktualisht kapaciteti i importit është në 12 mijë tonë.
Drejtoresha e AZHBR- së, Suela Popa vlerësoi se kjo fabrikë, e para e këtyre përmasave në vend, ka arritur jo vetëm standardet e kërkuara, por mbi të gjitha ka mundësuar edhe punësim. “Është mundësuar punësimi direkt dhe indirekt, i cili synohet të arrihet deri në 20 mijë vetë” – u shpreh ajo.
Kryeministri Edi Rama përsëriti mbështetjen për këto skema dhe për sa i përket punësimit, u shpreh se pritshmëritë janë që në 3 vitet e ardhshme të kemi bum të punësimit real në Shqipërinë rurale. “Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim këto skema. Do t’i dyfishojmë vitin tjetër. Presim trefishim të përfitimit nga këto skema, qysh vitin e ardhshëm, por çka është më e rëndësishmja, presim që në tre vitet e ardhshme të kemi një bum të punësimit real. Që do të thotë njerëz jo vetëm të punësuar, por edhe të siguruar në gjithë Shqipërinë rurale”.
“ProFast” është një tjetër sipërmarrje në industrinë e përpunimit të mishit, e ngritur në Boboshticë të qarkut të Korçës. Fabrika përpunon dhe e shndërron mishin në produkt gjysmë të gatshëm për restorante të ushqimit të shpejtë.
Kryeministri siguroi sipërmarrësit se të gjitha ndërtimet që lidhen me përpunimin nuk kanë më asnjë hallkë burokratike. “Gjithë ndërtimet që lidhen me përpunimin nuk kanë më asnjë hallkë burokratike dhe asnjë nevojë që të shkojnë të rrinë në derë të bashkive dhe komunave. Direkt me AZHBR, me miratim të Këshillit Kombëtar dhe leja në dorë. Komuna apo bashkia ka vetëm për detyrë të zbardhë lejen dhe ata marrin vetëm taksën e ndërtimit përkatës” – u shpreh Kryeministri.
Më qëllim rritjen e cilësinë së produktit “ProFast” përfitoi këtë vit një financim nga AZHBR, duke ndikuar në rritjen e kapacitetit prodhues. Aktiviteti i shoqërisë tashmë është shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe sot janë qindra njësi shërbimi, të cilat furnizohen drejtpërsëdrejti nga kjo kompani.
Kryeministri ka bërë apel për të gjithë sipërmarrësit, kryesisht për ata që merren me ndërtim të kthejnë sytë nga fshati për të orientuar kapitalet e tyre drejt këtyre investimeve që sjellin zhvillim rural. “Të gjithë atyre që punojnë në fshat, ne u japim një mesazh shumë të qartë: Kush do mbështetjen e Qeverisë shqiptare e ka atë, në bazë të projekteve të sipërmarrjes që krijojnë vlerë të shtuar dhe zinxhir vlerash për mbyllje të ciklit të prodhimit, të përpunimit brenda vendit dhe për rritje të eksportit. Përrallat e subvencioneve të shpërndara në qindra e mijëra thërrime, për njerëz që pas kaq shumë rropatje nëpër fusha janë akoma në stadin e bujkrobit, ne nuk dëgjojmë. Ne duam të mbështesim bujkun, fermerin shqiptar që të kthehet në sipërmarrës. Prandaj të gjithë ata që kërkojnë mbështetjen tonë e kanë atë të garantuar nëse garantojnë projekte cilësore, nëse garantojnë programe zhvillimi dhe nëse garantojnë që të jenë vazhdim i këtyre shembujve që vijnë pikërisht nga Shqipëria rurale, që vijnë pikërisht nga fshati. Sa më shpejt njerëzit do të vetëdijesohen për këtë, aq më mirë për ta. Se nga njëra anë janë fondet e Qeverisë shqiptare, por nga ana tjetër, si vend kandidat i BE-së, ne mund të përfitojmë shumë herë më tepër fonde nga BE. Por BE nuk jep para për t’i hedhur në lumenjtë e mbijetesës dhe nuk i shpërndajnë paratë e veta për lëmosha, që nuk nxjerrin askënd nga varfëria, por vetëm e kthejnë varfërinë në një status social siç ka ndodhur për 20 vjet në fshatin shqiptar. Unë dua t’i bëj thirrje edhe sipërmarrësve në qytet, atyre që kanë akumuluar kapital kryesisht në industrinë e ndërtimit, që të kthejnë sytë nga fshati dhe të fillojnë të investojnë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme, por edhe rritjen e qëndrueshme të kapitaleve të tyre. Ka disa shembuj, por ne duam që të kemi edhe më shumë” – u shpreh Kryeministri.