Korporata e Investimeve, Jorida Tabaku: Praktika aktuale dëmton ekonominë kombëtare

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku ka denoncuar ashpër procedurat e Korporatës së Investimeve, duke i cilësuar ato si një nga mjetet më abuzive dhe korruptive të qeverisë. Sipas Tabakut, këto procedura kanë pasoja të rënda për ekonominë dhe për qytetarët shqiptarë, duke shkelur të drejtat e pronarëve të ligjshëm dhe duke përqendruar burimet në pak duar.

“Korporata e Investimeve po kthehet në një nga mjetet më abuzive dhe korruptive të qeverisë. Në vend që të përqendrohet në detyrat themelore të një shteti demokratik, si infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia, shteti shqiptar ka transferuar këto përgjegjësi te koncesionet private”, theksoi Tabaku në videon e saj.

Tabaku ka qenë një nga zërat kryesorë që kundërshtoi këtë ligj në variantin fillestar në vitin 2019, duke arritur, falë presionit të saj dhe ndërhyrjes së faktorëve ndërkombëtarë, të realizonte disa ndryshime të rëndësishme. ”Biznesi i lejeve të ndërtimit dhe uzurpimi i pronave publike është një proces i pandershëm dhe i korruptuar. Qeveria po shkel të drejtat e pronës dhe të pronarëve të ligjshëm të Tiranës, duke i trajtuar trojet dhe pronat si një uzurpator ordiner’‘, vijoi ajo.

Tabaku argumentoi se transparenca, konkurrenca dhe respektimi i pronës private janë vlera themelore që duhet të udhëheqin çdo vendim qeveritar. Ajo paralajmëroi se praktikat aktuale jo vetëm që dëmtojnë ekonominë kombëtare, por edhe thellojnë pabarazinë në vend. Në përfundim të videos, deputetja e PD-së bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të këtyre praktikave.

SHKARKO APP