KQZ zëvendëson nesër Selamin dhe Tahirin. Mazhoranca me një deputetët më shumë në sesionin e ri
Edhe pse dy deputetët e Vlorës Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri kanë nisur betejën e tyre ligjore në Gjykatën Administrative për të rifituar mandatet që iu hoqën një javë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni më i lartë zgjedhor në vend ka nisur tashmë procedurën për zëvendësimin e tyre në Kuvend.
Për këtë arsye, mësohet se KQZ-ja do të mblidhet mesditën e nesërme për ti zëvendësuar Selamin dhe Tahirin me kandidatët e partive respektive ku ata bënin pjesë në zgjedhjet 2013-ës.
Konkretisht, mësohet se vendin e Shkëlqim Selamit në Vlorë do ta zërë kandidati i radhës i listës shumëemërore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Flamur Rrapo Çelaj.
Ndërsa vendin e Dashamir Tahirit po në Qarkun e Vlorës do ta zërë kandidati i radhës i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Edmond Skënder Zejno.
Me votimin e tyre nesër nga ana e KQZ-së, Çelaj dhe Zejno pritet të bëjnë betimin e tyre në seancën e parë të këtij sesioni parlamentar që do të mbahet në 18 janar.
Me këto zëvendësime vlen të theksohet tashmë se mazhoranca rifiton mandatin e humbur pas refuzimit të Dashamir Tahirit për t’u bërë pjesë e koalicionit të majtë, i cili vendosi që të qëndrojë në grupin parlamentar të PD-së, duke u dorëhequr nga radhët e PDIU-së së Shpëtim Idrizit.
Po ashtu, edhe LSI-ja rifiton mandatin e humbur në radhët e saj, pas vendimit të ish-deputetit të saj Shkëlqim Selami për t’u bërë pjesë e grupit parlamentar të PS-së.
Njoftimi i KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e premte, më datë 06.01.2017, ora 12:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite:
Projekt-vendim: “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, në Qarkun Vlorë, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë pas heqjes së mandatit të deputetit të z. Shkëlqim Selami”.
Projekt-vendim: “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, në Qarkun Vlorë, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë pas heqjes së mandatit të deputetit të z. Dashamir Tahiri”.
Projekt-vendim: “Për emërimin e auditit teknicien për mbikqyrjen e hartimit të listës së zgjedhësve, për zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2017”.
Projekt-vendim: “Për verifikimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatëve nga listat shumëemërore për këshillat bashkiak në zbatim të ligjit nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
KOHA JONË SONDAZH

