Krasniqi: I pari i qeverisë foli në Parlament për dënglat, Zotin, Hënën, por jo për Covid-19
Nga Afrim Krasniqi-
Kuvendi shënoi sot seancën e parë në kohën e COVID-19, rast unik në historinë tonë parlamentare dhe praktikë që po zbatohet edhe në vendet e tjera. Pritej të kishte një raport të qeverisë mbi situatën, masat dhe strategjinë për të ardhmen, por natyrisht nuk ndodhi dhe nuk as ia kërkoi askush. I pari i qeverisë foli për dënglat, Zotin, Hënën, por jo për atë që ka folur çdo kryeministër perëndimor në seancat e para parlamentare në rrethanat e Covid-19.
Mazhoranca ka fituar në zgjedhje 74 vende, por ajo vijon të ketë rregullisht 88 vota në parlament, 14 vota janë dhuratë nga listat e çuditshme të opozitës. Kuvendi shqyrtoi e votoi sot 24 akte në 258 minuta seancë, mesatare rekord prej 10.7 minuta për një akt. Natyrisht Kuvendi votoi 100% nismat e qeverisë, si dhe qëndrimin politik të saj në raport me dy ligjet e kthyera nga Presidenti dhe vendimet për shtyrjen e mandatit për dy komisionet e posaçme.
Kushtetuta e RSH neni 81/2 dhe 83/3 përcakton se nuk mund të ndryshohen në situatë të jashtëzakonshme: Kushtetuta, ligjet organike, ligji mbi shtetësinë, ligji për zgjedhjet, ligji për referendumet, kodet, ligji për statusin e funksionarëve publikë, ligji për amnistinë, ligji për ndarjen administrative. Në kundërshtim me këtë përcaktim kushtetues nisma për ndryshimin e Kodit u paraqit më 10 prill dhe u votua me 16 prill 2020, pra brenda 6 ditësh. U lajmërua se Kuvendi, qeveria e Presidenti e kanë arritur një akord për këtë ditën e djeshme, kur do udhëheqja u mblodh për sigurinë kombëtare!
Po ashtu Kuvendi zhvilloi seanca online midis 26 marsit-15 prillit, ndërkohë që ndryshimi Rregullores që lejon seancat online u miratua më 16 prill, me shënimin se hyn në fuqi më 11.3.2020, pra i shtrin efektet më shumë se një muaj përpara miratimit..!! Kaq nga institucioni që duhej të ishte tempull i demokracisë dhe të përfaqësonte sovranitetin e popullit!