Krasniqi: Ky Kod Zgjedhor solli destabilitet, korrupsion në zgjedhje dhe kriminelët në lista

Në një intervistë ekskluzive për DW, Prof. Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike flet për sfidat politike të reformës zgjedhore, si edhe rolin e Gjermanise dhe SHBA në kryerjen e saj.

Intervistoi : Ani Ruci (Deutsche Welle)

DW: Z.Krasniqi, ҫfarë mendoni për propozimin e Partisë Demokratike, (PD), që kryeson opozitën jashtë parlamentare, që reforma zgjedhore në Shqipëri të kryhet nga PS-PD dhe faktori ndërkombëtar? Kryerja e kësaj reforme është një nga 9 ҫështjet në rezolutën e Bundestagut gjerman, që Shqipëria duhet të zgjidhë për të bërë të mundur hapjen e negociatave të pranimit në BE.

Afrim Krasniqi: Propozimi i PD për bisedime vetëm me mazhorancën socialiste dhe faktorin ndërkombëtar për reformën zgjedhore, por edhe zgjidhjen e krizës politike, më shumë i adresohet si ofertë Partisë Socialiste sesa ka të bëjë me ndonjë plan konkret të saj. PD e di që faktori ndërkombëtar mund të asistojë reformën zgjedhore, por në asnjë rast nuk është palë në bisedime, por ajo kërkon që përmes këtij propozimi të rivendosë urat e munguara të komunikimit me faktorin ndërkombëtar dhe njëherësh të delegjitimojë pakicën, opozitën e re demokratike në parlament, përmes bisedimeve direkt me qeverinë.

DW: Si e shikoni marrëdhënien mes opozites së re në Parlament dhe opozitës jashtë parlamentit pikërisht për reformën zgjedhore? Opozita e re shfaq hapur shqetësimin nga nje drejtim potencial trepalësh në kryerjen e kësaj reforme – PS, PD dhe ajo vetë.

Afrim Krasniqi: Marrëdhënia e tyre ndikohet nga dy faktorë: Njëri lidhet me faktin se çdo ndryshim në sistemin zgjedhor apo në reformën institucionale kërkon ndryshime në Kushtetutë apo në Kodin Zgjedhor dhe për këtë duhen së paku 92 ose 84 vota, pra edhe votat e opozitës së re, që hyri në parlament, në pranverën e këtij viti. Opozita jashtë parlamentare, nën kontrollin e PD-së, dëshiron bisedime dhe marrëveshje direkte me mazhorancën socialiste dhe jo me opozitën e re pasi shpreson që kjo e fundit në çdo rast, nën këshillën perëndimore, do të votojë paktet midis dy partive të mëdha.

Faktori tjetër ka të bëjë me llogaritë elektorale. PD dhe aleatët e saj të opozitës jashtë parlamentit nuk duan të pranojnë parti të tjera në spektrin politik opozitar apo joqeveritar, ndaj edhe mendojnë që pranimi i rolit të grupeve të reja opozitare në parlament do t’u japë këtyre të fundit më shumë legjitimitet dhe vota elektorale. Nga ana tjetër opozita e re në parlament ka padyshim legjitimitet parlamentar, por jo legjitimitet përfaqësues.

DW: Cilat jane të metat e sistemit aktual zgjedhor, sidomos ato që cënojnë demokracinë dhe të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur?

Afrim Krasniqi: Kur në vitin 2008 u krijua sistemi i tanishëm elektoral, u premtua se nuk do të kishte më destabilitet në qeverisje, nuk do të kishte korrupsion elektoral dhe as prurje të “të fortëve”, përfaqësimi do ishte më proporcional për zonat zgjedhore, partitë do funksiononin si modele konkurruese demokratike dhe parlamenti e vendimmarrja do t’u kalonte elitave politike.

Pas 11 vitesh kemi bilanc krejt të kundërt, – destabilitet në qeverisje, probleme me “të fortët”, dekriminalizimi i parlamentit dhe pushtetit është headline në axhendën politike, korrupsioni elektoral ka kaluar të gjitha limitet, partitë janë shndërruar në firma private të liderëve politikë, deputetët më shumë emërohen sesa zgjidhen, produkti politik nuk është përfaqësues, niveli i elitave politike në përfaqësim është më dramatik se gjatë gjithë legjislaturave të mëparshme. Pra, sistemi aktual zgjedhor nuk i lejon qytetarët të zgjedhin, vota e tyre administrohet nga palët konkurruese, në konflikt të hapur të interesit, krizat politike kanë kaluar limitet e arsyeshme dhe mbështetja publike për parlamentin, partitë dhe elitat politike është në minimumin historik.

DW: A shihni sinjale, vullnet politik që reforma zgjedhore, do të kryhet dhe Shqipëria do të ketë një sistem zgjedhor që respekton votën dhe të drejtat e votuesit?

Afrim Krasniqi: Mendoj që palët kryesore politike kanë interes të fokusohen tek reforma zgjedhore ngaqë është kusht ndërkombëtar. Ato nuk duan të identifikohen si shkaktare të dështimit të saj. Por ka një kontrast të thellë midis axhendës perëndimore dhe asaj vendore për reformën e pritshme zgjedhore: Të parët kërkojnë zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për 5 vite rresht, nga 2015 deri në 2019. Të dytët, pra PS & PD kërkojnë rishikim të sistemit zgjedhor, votën e emigrantëve dhe përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Për elementët e axhendës perëndimore “de facto” ka dakordësi vetëm në 60% të tyre. Për elementët e axhendës lokale ka diferenca të mëdha, gati përjashtuese.

Mendoj që asnjëra palë nuk do të mbajë qëndrim publik kundër, por do të përdorë veton e palës tjetër si alibi për pamundësimin e reformës. Deri në dhjetor duhet të ketë një përgjigje konkrete nga palët për axhendën perëndimore, kurse për axhendën lokale me siguri do të kërkohet shumë më tepër kohë, energji dhe negociata politike.

DW: A është ndërgjegjësuar faktori ndërkombëtar se përqasja e tij ndaj zhvillimeve politike gjatë tranzicionit në Shqipëri, e quajtur tanimë “stabilitet politik në kurriz të demokracise” ka dëmtuar demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve? Pasojë e kësaj përqasjeje është edhe sistemi aktual zgjedhor, që padyshim është mbështetur nga ndërkombëtarët.

Afrim Krasniqi: Jo, nuk ka tregues të reflektimit ndaj gabimeve që faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë pasur e kanë gjatë tranzicionit. Fakte të tilla si mbështetja ndërkombëtare për të gjitha reformat zgjedhore, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese 2008 apo riciklimi imponues i 2-3 emrave në pushtet për më shumë se dy dekada, tregojnë se midis interesit afatgjatë të shoqërisë për më shumë demokraci dhe interesit afatshkurtër për mbështetje pragmatiste të stabilitetit politik, faktori ndërkombëtar ka zgjedhur të dytën. Stabiliteti politik, si prioritet në dëm të nevojës për më shumë demokraci, është forcuar si devizë, në vitet dhe muajt e fundit jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europën Jug-Lindore. Ndryshe nga kjo ofertë, besoj që stabiliteti është produktiv, kur prodhon demokraci funksionale. Demokracia si prioritet dhe stabiliteti si produkt afatgjatë i saj janë zgjidhja më e mirë për Shqipërinë. Megjithatë në çdo rast përgjegjësit e përgjegjësitë duhen kërkuar jo tek faktori ndërkombëtar por në Tiranë.

DW: Cilët janë faktorët që mund të ndikojnë që reforma zgjedhore të ecë, të jetë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse?

Afrim Krasniqi: Vetëm një presion i qartë perëndimor, kryesisht gjerman dhe amerikan, mund të detyrojë palët politike të shkojnë drejt një përgjigjeje serioze dhe afatgjatë për reformën zgjedhore dhe për të gjitha ҫështjet që tashmë njihen si kushtet e Bundestag-ut për Shqipërinë. Duket paradoks që edhe pas rreth 30 vitesh zgjidhja shihet nga jashtë dhe jo nga brenda, por në një masë të madhe këtë model veprimi ka investuar edhe Perëndimi në Shqipëri gjatë tranzicionit. Shqipëria ka sot ekspertë shumë të mirë zgjedhorë, ka ide politike, ka zëra civilë dhe profesionistë, por monopoli i vendimmarrjes vijon të jetë pronë e 2-3 individëve politikë. Të ashtuquajturat kushte gjermane në fakt përbëjnë axhendën që duhej të ketë politika drejt një ndryshimi thelbësor, në interes të qytetarëve.

Gjatë vitit 2020 e në vijim gjendja mund të ndryshojë pozitivisht nëse krijohet dhe funksionon Struktura e Posacme Antikorrupsion, (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), dy institucione me pritshmëri të lartë në hetimin e dënimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar, të cilët në Shqipëri përbëjnë oligarkinë dhe pengesën kryesore për progresin politik dhe ekonomik të vendit.

SHKARKO APP