Kreu i KLP, Gent Ibrahimi: Vetting-u ka goditur edhe prokurorë e gjyqtarë të ndershëm
Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi thotë për mediat se vonesat në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë kanë ardhur për shkak të procesit të vetingut.
Sipas tij, shumëçka ka ndodhur por ka ndodhur më pak sesa pritej dhe kjo për arsyen kryesore se nuk ishin marrë parasyh vështirësitë që do të haseshin në procesin e vetingut. Ibrahimi thotë se, procesi mund të përshpejtohet pasi deri tani nuk ka pasur ritmin që të gjithë kanë pritur.
“Është e vërtetë që nuk ka pasur ritmet e pritura nga të gjithë. Konsolidimi i institucioneve të vetingut është mënyra për të përshpejtuar. Në këto vite kanë fituar ekspertizën e duhur. Shtimi i kapacitet njerëzore në veting është një mënyrë që duhet eksploruar”, tha kreu i KLP-së.
Në një kohë kur mungon ende ngritje e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Ibrahimi thotë se KLP ka një rol dytësor pasi ngritja e këtij institucioni është më shumë në dorë të SPAK. Ai thotë se, në mesin e muajit të ardhshëm pritet të përzgjidhet drejtori i BKH-së dhe më pas të nisë procesi për përzgjedhjen e 60 oficerëve të policisë që do të përbëjnë këtë institucion.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka rol episodik, është vetë SPAK që ka rolin kryesor për krijimin e BKH. Procesi fillon me emërimin e kreut që është kompetencë e KLP. Na paraqitet vetëm një kandidaturë nga vetë SPAK dhe kemi të drejtë ta miratojmë ose refuzojmë atë. Sot që flasim janë 4 kandidatë që janë në procesi ne vetingut. Në mesin e korrikut do të kemi kandidatin e përzgjedhur prej tyre. Kemi të drejtë ta kthejmë, por mundësitë tona që ta kthejmë janë të kufizuara. Mund të them se përpara fundit të këtij viti do ta kemi BKH në punë”, tha ai.
“Ajo që më vjen keq për organet e vetingut është se në disa raste kanë goditur persona që kurrsesi nuk kanë gjë të përbashkët me korrupsionin dhe abuzimin. Ka shkarkuar simbole të integritet në radhët e magjistratëve. Antoneta Sevdari është një nga ato”,- tha Ibrahimi.
Për kreun e KLP-së është katastrofike që sot vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë.