Kreu i LSI në Dibër, Hajri Laçi: Në Peshkopi, të sëmurët me Covid shtrohen në bodrume të spitalit

Hajri Laçi, kryetar i LSI-së, Dibër, mjek në profesion në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se në Qarkun e Dibrës nuk ka spital infektiv, ndërkohë që të sëmurët me Covid-19 shtrohen në bodrumin e spitalit, ndërsa pacientët paguajnë  të gjithë faturën e ilaçeve, e cila shkon më shumë se 50 mijë lekë të reja. Zoti Laçi thotë se ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ka ardhur shumë herë në Peshkopi me helikopter ushtarak, për fushatën e ‘Rilindjes’, ndërsa kryeligjbërësi Ulsi Manja, deputeti i qarkut, është ai protagonisti në vjedhjen e votave, nga faktet që përmban ‘dosja 184’.

 -Zoti Laçi, ju jeni mjek. Cila është gjendja në Peshkopi dhe masat që janë ndërmarrë për të përballuar rreziqet e Covid-19?

-Mungesa e një pavioni infektiv pranë Spitalit Rajonal të Peshkopisë, bën që pacientët e infektuar nga virusi Covid-19 të trajtohen në ambjentet e Urgjencës, ose në disa ambjente në bodrum të spitalit, të cilat nuk kanë asnjë ndryshim me dhomat e izolimit të burgjeve para viteve 1990. Në këto kushte nuk bëhet trajtimi siç duhet i pacientëve si dhe rrezikohet jeta e stafit mjekësor, i cili është përballë këtij rreziku në çdo kohë. Kjo është përgjegjësi direkte e Ministrisë së Shëndetësisë. Vlen të theksoj përballimi i kësaj situate mjaft të rëndë bëhet në mënyrë private, nga çdo qytetar. Kostoja mesatare për një kurë të plotë për pacientët me Covid-19, shkon në vlerën 50 000 lekë të reja, kosto të cilat përballohen 100% nga pacientët. Ende nuk kemi një skemë rimbursimi për ilaçet që përdoren për t’u kuruar nga Covid -19. Një falenderim i veçante shkon për stafin mjekësor, i cili punon kokëulur, duke u shërbyer qytetarëve edhe në shtëpi, gjithashtu në kushte mjaft të vështira dhe potencialisht për t’u infektuar në çdo kohë.

-Sa e vërtetë është akuza ndaj ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka se ka ardhur disa herë në Peshkopi me helikopter ushtarak, për fushatë elektorale të ‘Rilindjes’, meqë është edhe drejtuesja politike e Qarkut? 

-Shumë e vërtetë. Këtë akuze e kam bërë publike para disa ditësh. Mendoj se nuk jemi këtu për të faktuar akuzat ndaj Ministres Olta Xhaçka, sepse këto janë fakte, të cilat Ajo vetë i ka vërtetuar me veprimet e saj. Është për të ardhur keq se si Ministrja e një vendi të ashtuquajtur demokratik, abuzon me fondet e buxhetit të shtetit për të realizuar qëllime elektorale. Sa për kuriozitetin tuaj, faktet janë me zë dhe figurë. Natyrisht që ka pamje të helikopterit të ministrisë së Mbrojtjes, gjithashtu faktohet edhe nga komunikimet me anëtarë të PS-së, të cilët e pohojnë nën zë që Ministrja vjen me helikopterin e ministrisë së Mbrojtjes për të bërë takime elektorale.

– Zgjedhjet në Bashkinë e Peshkopisë në 2016 u bënë protagoniste e ‘dosjes 184’ të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Deri tani a u gjykuan protagonistët e manipulimit të votimeve?

– Kjo është një pyetje retorike. Përderisa kjo dosje kthehet për hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Dibrës, nuk është në plan për t’u hetuar. Ato pasi përjashtuan nga hetimi anëtarë të qeverisë, ministra, deputetë të cilët ishin të përfshirë direkt në këtë krim elektoral, me arsyetimin se u janë parashkruar afatet e hetimit, ia dërguan çështjen Prokurorisë së Dibrës. Prokuroria e Dibrës në dijeninë time dhe të gjithë dibranëve, po heton drejtues të nivelit të ulët të pushtetit lokal, ndërsa ata të cilët i shkaktuan Dibrës të keqen më të madhe që mund t’i ndodhte ndonjëherë, duke ia dorëzuar qeverisjen lokale krimit të organizuar, ende rrinë të qetë në sarajet e tyre, duke bërë jetë luksi. Pra faktet flasin për një groposje të kësaj dosje kriminale me pasoja shumë të rënda për Bashkinë Dibër.

– Peshkopia është zona elektorale e ministres Olta Xhaçka dhe e kryeligjbërësit Ulsi Manja. Në këto 8 vite qeverisje, sa u realizuan premtimet e ‘Rilindjes’ për Dibrën?

– Sllogani i kësaj qeverie të ‘Rilindjes’ ishte më jepni ‘timon dhe tepsinë’. Pasi ia arritën qëllimit, nëpërmjet blerjes së votave në vitin 2017, në asnjë moment nuk pyetën për hallet dhe problemet e shqiptarëve, gjithashtu edhe për hallet e dibranëve. Gjatë këtyre viteve është bërë vetëm shpërdorim i fondeve publike. Nëse kalon në rrugët kryesore të qytetit shikon sesi është çarë asfalti, (ortakë të kryetarit të bashkisë)dhe sesi gropat zgjerohen çdo ditë. Nuk dihet se kush është investitori dhe kush është Autoriteti Kontraktor, nuk ka asnjë informacion. Ndërkohë, nëse do të nevojitet të rregullosh shtëpinë apo ahurin e kafshëve, paditesh në polici dhe prokurori. Këta prishën bulevardin ekzistues dhe ndërtuan  të ashtuquajturën Pedonale me baltë Berati, investim që kap vlerën mbi 1 milion euro. Nuk ka tallje më të madhe për dibranët. Ndërtuan pa asnjë standard unazën e madhe, po vazhdojnë të asfaltojnë arterien kryesore të qytetit në mes të dimrit, kjo vetëm e vetëm për të marrë votat më 25 Prill. Por qytetarët dibranë nuk do të mashtrohen për së dyti, as nuk do të ndihen nën presion të këtij pushteti, të cilit i ka ardhur fundi. Për mos të folur më tej për Bashkinë, që është inegzistente në çdo aspekt. E vetmja gjë që di të bëjë, është zhvillimi i tenderava pa garë dhe në favor të ortakëve të kryetarit të bashkisë, të cilët janë anëtarë të Këshillit Bashkiak edhe më gjerë. Propogandë pa fund në rrjetet sociale, duke u hedhur hi syve qytetarëve me projekte imagjinare, si në kohë të xhaxhit. Ndërsa ata të cilët bëjnë ligje (Ulsi Manja) janë të parët që duhet të ishin nën hetim për ‘Dosjen 184’, dhe jo të varrosnin ‘Dosjen 184’.

-Zoti Laçi, KQZ-ja i hoqi Qarkut të Dibrës 1 mandat, për shkak të tkurrjes së numrit të popullsisë dhe votuesve. Pse shpërngulen dibranët nga vendlindja gjatë qeverisjes së ‘Rilindjes’ në këto 4 vitet e fundit?

-Mendoj se nuk ka nevojë për statistika, sepse dihet nga çdo kush, që në 4 vitet e fundit të qeverisjes së PS-së, lëvizja demografike ka qenë masive në të gjithë Shqipërinë. Dibra, duke  qenë ndër  dy qarqet më të varfëra, bashkë me Kukësin ka arsye më shumë për t’u shpërngulur. Në Dibër biznesi privat pothuajse është inegzistent. Ato biznese të cilat operojnë aktualisht në Dibër me vështirësi arrijnë të paguajnë detyrimet ndaj shtetit, ndërsa për vete nuk mbetet gjë.

Cilat janë zotimet e LSI-së për dibranët, në mandatin e ri?

– Qytetarët dibranë kanë nevojë për një përfaqësim dinjitoz në paralament. Deri me tani jemi përfaqësuar nga deputetë  jo-dibranë, të cilët pasi morën votat, as nuk e dinë se ku ndodhet Dibra, deputetë të cilët kryesojnë Komisionin e Ligjeve, të cilat i hartojnë në funksion të vjedhjes së votave. Zotimi ynë për dibranët është një dhe vetëm një. Ne, LSI-ja do të jemi afër qytetarëve dibranë në çdo kohë dhe për çdo problem. Qytetarët dibranë do të kenë mbështjetjen tonë nëpërmjet një përfaqësimi sa më dinjitoz në Parlament. Tashmë ka ardhur koha që qytetarëve t’u jepet mundësia për një arsim më cilësor, shërbim shëndetësor me cilësor si dhe t’u sigurohet jeta. Pra qytetarët dibranë, ashtu si çdo shqiptar, kërkojnë një jetë më të mirë!

Telegraf.al

SHKARKO APP