Kreu i SPAK-ut, Dumani në Brazil: Shkëmbim informacioni në luftën kundër krimit të organizuar

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani kryesoi një delegacion që udhëtoi në Brazilia dhe Sao Paulo te Brazilit, për të forcuar bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm të fushës së zbatimit të ligjit në çmontimin e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar, njoftoi sot ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Dumani dhe kolegët e tij u angazhuan me zyrtarë dhe prokurorë të policisë braziliane të nivelit më të lartë dhe shkëmbyen informacion për fuqinë dhe rolin e jashtëzakonshëm që grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë.

Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) mundësoi vizitën, e cila u financua nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit të SHBA. Dumani iu bashkuan katër prokurorë të tjerë të SPAK-ut, këshilltari ligjor i SPAK-ut, një hetues i BKH-së, si dhe këshilltari ligjor amerikan dhe një agjent i FBI-së të vendosur pranë SPAK-ut.

“Vizita në Brazil nënvizoi rolin jetik të bashkëpunimit të Shqipërisë me agjencitë e zbatimit të ligjit në shkatërrimin e rrjeteve të krimit ndërkombëtar,” tha drejtuesi i SPAK. “Forcimi i partneritetit të SPAK dhe krijimi i kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit me homologët tanë në Brazil është jetik për gjurmimin dhe ndërprerjen e aktiviteteve kriminale që prekin dy vendet tona. Së bashku, po bëjmë hapa të rëndësishëm në luftën kundër rrugëve të trafikut të kokainës që kërcënojnë sigurinë e Shqipërisë dhe BE-së”, u shpreh Altin Dumani.

Delegacioni u informua nga drejtori dhe zëvendësdrejtori i Brazilit për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët dhe Armatimet, drejtori për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar, drejtori për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar, drejtori dhe zëvendësdrejtori për Hetimin Financiar, dhe Prokurori i Përgjithshëm që lufton grupin kriminal Primeiro Comando do Capital (PCC) që kontrollon shumicën e rrjetit të shpërndarjes së kokainës në Brazil.

Delegacioni gjithashtu u takua me agjentë dhe analistë të agjencive të tjera amerikane të fushës së zbatimit të ligjit në Brazil, përfshirë FBI-në (Byronë Federale të Hetimit), DEA-n (Administratën për Narkotikët), dhe HSI-n (Agjencia e Sigurisë Kombëtare). Zyrtarët brazilianë mirëpritën ngrohtësisht drejtuesin e SPAK, Dumani dhe kolegët e tij, duke e vlerësuar arritjet e SPAK-ut dhe duke theksuar rolin e rëndësishëm që SPAK mund të luajë në nivel ndërkombëtar në uljen e ndikimit të rrezikshëm të grupeve shqiptare të krimit të organizuar në Brazil dhe në rajon.

Autoritetet e SPAK dhe ato braziliane ranë dakord të ndihmojnë njëri-tjetrin në ndarjen e informacioneve dhe gjetjen e personave në kërkim ndërkombëtar, duke vendosur kanale jetike komunikimi ndërmjet zbatuesve të ligjit dhe prokurorëve dhe duke rritur aftësinë e SPAK për të luftuar efektivisht grupet shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në Brazil dhe vendet fqinje. Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani gjithashtu theksoi mbështetjen e çmuar nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nga OPDAT, lehtësimi i të cilit i mundësoi ekipit të SPAK të krijonte këto lidhje të rëndësishme. “Mbështetja e partnerëve tanë amerikanë ka qenë e paçmueshme në fuqizimin e SPAK për të përballuar krimin ndërkombëtar kompleks dhe në pajisjen tonë me mjetet dhe aleancat e nevojshme për të përballuar krimin e organizuar në shkallë globale”, tha Dumani.

SHKARKO APP