“Krimi qarkullon 1 miliard euro”/ Ambasadori spanjoll: Zgjedhjet, vendimtare për integrimin
Organizatat kriminale të përbera nga shqiptarët e që funskionojnë në shtetet e Bashkimit Europian qarkullojnë rreth 1 miliard euro si para të fituara nga aktivitetet e paligjshme.
Deklarata u bë nga ambasadori i Spanjës në Tiranë, Marcos Alonso, gjatë prezantimit të projektit të financuar nga BE për luftën kundër krimit të organizuar.
“Paratë që organizatat kriminale, të cilat kanë lidhje me Shqipërinë dhe që i dërgojnë në vendet e BE janë të shumta, janë mbi 1 miliard euro. Duhet të mbështesim të gjitha institucionet që të luftojnë krimin e organizuar.”
Diplomati i lartë tërhoqi vëmendjen edhe per zgjedhjet e 25 prillit .
“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe për të ardhmen tuaj në Bashkimin Evropian. Këto zgjedhje duhet të tregojnë pjekurinë e arritur të demokracisë shqiptare.”
Nga ana tjetër ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se buxheti që BE ka parashikuar për këtë projekt është rreth 5.5 milionë euro.
“Thuajse gjysma e këtij fondi do të shkojë për vetëm për pajisjet e reja, mbi 2.4 mln euro. Ky investim për modernizimin e infrastrukturës përmbush aspiratën tonë kyçe për ta sofistikuar dhe rritur cilësisht punën e organeve ligjzbatuese, sikurse të jemi një vend i BE-së.”
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, i cili u shpreh i gatshëm për të ndihmuar institucionet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar.