Kristaq Kume: Reforma zgjedhore rrezikon sërish të dështojë. Ja rreziqet e sistemit “prim”
Flet ish-kreu i KQZ: Gjyqtarët dhe prokurorët nuk e ndalin dot reformën në drejtësi
Ish-kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një intervistë për gazetën “Sot”, flet për dy reformat më thelbësore në vend, atë zgjedhore dhe atë në drejtësi. Kume paralajmëron se reforma zgjedhore rrezikon të shkojë sërish drejt dështimit, pavarësisht se PD dhe PS kanë deklaruar se do jetë prioritet i legjislaturës së re. Në shtator po flitet se do diskutohet sistemi Prim, për t’u përfshirë në Kodin Zgjedhor. Kume thotë se është një sistem i aplikueshëm, por mund të lindin probleme pas zgjedhjeve, pasi ndodh që partitë politike nuk arrijnë të krijojnë shumicën. Duke folur për vakancat në Kushtetuese, ai tha se është një rast i paprecedentë.
-Në shtator pritet që të rinisë puna për reformën zgjedhore. Ku duhet të konsistojë kjo reformë?
Në kuadër të realizimit të reformës zgjedhore të pritshme në muajin shtator, së pari duhet të trajtohen rekomandimet e OSBE/ODIHR, për të tre zgjedhjet e fundit, përfshirë dhe këto që sapo kanë përfunduar. Përveç këtyre, duhet të trajtohen problemet të cilat u kërkuan gjatë procesit të fundit dhe që asnjëherë nuk u pranuan dhe nuk u realizuan, të cilat kanë të bëjnë me përdorimin e teknologjisë në procesin zgjedhor, mundësitë për shtetasit që banojnë jashtë territorit të Shqipërisë për të votuar pa qenë në Shqipëri. Për mendimin tim është e mundshme gjithashtu që të trajtohen edhe çështjet e sistemit zgjedhor për t’iu përgjigjur kërkesës kushtetuese, e cila bëhet fjalë për barazinë e votës të të gjithë shtetasve dhe të drejtën e të gjithë shtetasve për t’u përfaqësuar, ashtu siç ata shprehen në kutitë e votimit për partitë politike të Parlamentit. Sistemi zgjedhor i cili mund të ndryshojë duke bërë ndryshimet përkatëse në Kushtetutë por edhe pa qenë e nevojshme, do të ishte mirë që të ndryshohej vetëm pas një konsulte të gjerë gjithëpërfshirëse të forcave politike parlamentare dhe jo parlamentare sepse, praktikat e derisotme kanë treguar se sa herë që është ndërhyrë në sistem, kjo është bërë vetëm në funksion të interesave të partive të mëdha politike. Reforma nëse do të realizohet ashtu siç është deklaruar, sipas marrëveshjes së 18 majit, jo vetëm që ka kohë për t’u realizuar nëqoftëse i qëndrojnë mënyrës të asaj çka kanë deklaruar, por besoj se mund të japë produkte. Mundësitë për të patur një sistem zgjedhor më të administrueshëm dhe vështirësisht të manipulueshëm, duhen shfrytëzuar mundësitë që sistemi ka. Për mendimin tim, nëse vendimi do jetë që të vazhdohet me sistemet e tipit proporcional dhe ndër to të zgjidhet proporcional rajonali, është e nevojshme që të bëhen ndryshime ose duke ulur numrin e njësive zgjedhore nga 12 në 4 ose maksimumi 6, ose duke bërë korrektimin me një listë kombëtare, ose nëpërmjet trajtimit ndryshe të problemit të ndarjes së mandateve midis garuesve. Për mua do ishte mirë që të kalohej në proporcionalin e pastër zgjedhor dhe jo më shumë se 100 vende në Parlament. Dhe gjithashtu të përdorej pragu zgjedhor natyror 1 për qind.
-Është aluduar se sistemi zgjedhor do të ndryshojë. Përflitet futja e sistemit me Prim. A i përshtatet vendit një sistem i tillë?
Janë të gjitha mundësitë për të aplikuar cilindo sistem. E rëndësishme është që kur merr vendimin për sistemin, të kesh parasysh kushtet ekonomike, sociale, kulturore të zhvillimit demokratik të vendit, ku kam parasysh klasën shoqërore dhe politike. Sistemi Primi mund të bëjë që pas zgjedhjeve të ndeshemi me situata të tilla që, rezultati zgjedhor mund të bëjë të pamundur krijimin e qeverisë. Mund të mos ketë asnjë parti që të marrë numrin e nevojshëm dhe do të duhet të bëhen koalicione paszgjedhore jo natyrore ose ndryshe të kalohet në zgjedhje të parakohshme. Ky vendim për futjen e këtij sistemi duhet të realizohet pasi të jetë studiuar se çfarë sjell një sistem i tillë zgjedhor.
-Vitin që lamë pas, tratativat për një reformë zgjedhore dështuan. Edhe pse puna nisi që në fillim të 2016, sërish nuk pati asgjë. Mund të ndodhë që kjo reformë të ketë fatin e reformës në drejtësi, duke u zvarritur pafundësisht?
Fakti që janë deklaruar dy partitë e mëdha, PD dhe PS, se menjëherë pas zgjedhjeve legjislatura e re do ketë objekt të saj reformën zgjedhore, nuk është kusht i mjaftueshëm për të thënë që po do fillojë dhe do realizohet një proces i tillë. Për mua nuk mjaftojnë deklaratat. Unë i trembem përsëritjes të po të njëjtave situatave; fjalë dhe asnjë produkt. Sepse deri sot ajo çka ka ndodhur në realizimin e kësaj përgjegjësie ka qenë: sjellje në funksion të interesit të tyre politik dhe jo në funksion të zhvillimit demokratik të procesit zgjedhor.
-Gjyqtarët dhe prokurorët kanë bërë katër padi në Gjykatën Kushtetuese. A është një lëvizje për të zvarritur reformën në drejtësi?
Ligjet e reformës në drejtësi kanë treguar se formalisht bëhen për nevojën e një reforme të tillë dhe realisht ato kundërshtohen nga punonjësit e sistemit të drejtësisë. Janë përpjekur në mënyrë të vazhdueshme për të gjetur mundësira për ta kundërshtuar dhe jo për të dhënë kontribute për ta zhvilluar më tej, reformën në drejtësi. Megjithatë, çfarëdo që të bëhet, fundi është se ne kemi një sistem zgjedhor dhe një sistem gjyqësor i cili do të funksionojë në zbatim të një kuadri të mirërregulluar ligjor, që do të ndalojë keqpërdorimin e detyrës nga punonjës të këtij sistemi.
-Gjykata Kushtetuese ka ngelur me 6 anëtarë. A mund të marrë vendim kjo gjykatë në kohën kur i mungojnë tre gjyqtarë?
Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë shpesh herë janë përballur me procesin e vakancave. Është një argument më shumë se në këtë sistem gjërat nuk kanë ecur ashtu siç duhet. Kushtetuesja si institucioni më i rëndësishëm në sistemin gjyqësor, nuk duhej të ishte përballur asnjëherë në të tilla situata. Por, edhe me 6 anëtarë mund të funksionojë, pasi ka shumicën e cilësuar. Pra mund t’i trajtojë çështjet që janë për t’u gjykuar në kuadër të ankimimeve të bëra, për mënyrën se si janë zgjidhur çështjet e caktuara që janë hartuar në kuadër të reformës.
-Në shtator pritet që të nisë vetingu. Mendoni se do jetë i efektshëm në shkundjen e korrupsionit në drejtësi?
Vetingu është procesi kryesor që do të bëjë të mundur objektivën themelore që ka reforma në fazën e parë të zbatimit të saj, që është krijimi i një trupe që nuk do të ketë probleme me figurën morale dhe profesionale të saj. Unë pres që të jepen produkte konkrete në përpjekjet tonat të vazhdueshme si shoqëri në luftën kundër fenomenit të korrupsionit në drejtësi. Produktet konkrete do të jenë të mëdha, shumë shpejt do t’i shohim.
-Si i komentoni zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit? A i përmbushën standardet demokratike ndërkombëtare?
Ky proces zgjedhor që tashmë është përmbyllur, është një ndër të paktët procese që në fazën e fundit të tij, fazën e ankimimit e ka patur më të shkurtër. Kushdo ka patur mundësi për të ankimuar atë çka ka ndodhur gjatë një procesi zgjedhor, ose nuk ka patur se ç’të thonë, ose nuk kanë dashur ta ankimojnë procesin, por më shumë se sa kaq kanë dashur ta përdorin në funksion të interesit politik të ditës. Procesi është mbyllur me një fillim të keq, por i përfunduar mirë. U nis me krizën politike e cila u zgjidh me marrëveshjen e 17 majit, dhe pastaj u mbyll me një proces ankimi shumë të shkurtuar. Ajo që duhet të tërheqë vëmendjen është fakti që, është ndër proceset zgjedhore të pakta në Shqipëri që tregojnë se partitë politike ato që marrin përsipër dhe hartojnë ligjet, janë të parat që në funksion të interesit të tyre i anashkalojnë dhe nuk i zbatojnë këto ligje. Në këto zgjedhje ka qenë e nevojshme të trajtohej mënyra se si duhet të ndërtohej administrata zgjedhore. Partitë politike duhet të qëndronin larg nga administrata. Në të kundërt do bëhet ashtu siç duan partitë dhe jo siç e kërkon ligji. Duke iu referuar asaj çka kanë deklaruar në raportin paraprak të tyre vëzhguesit ndërkombëtarë, ata vazhdojnë të mbeten në deklaratën e tyre se ky ishte një proces i cili mjaftueshmërisht plotësoi kushtet për të patur jo vetëm një proces në plotësim të standardeve, por një situatë larg problemeve të stabilitetit të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

