Kriza në PD, Edvin Kulluri: Nuk ka më vend për teatër politik
11 apo 18 dhjetor, cila datë është legjitime për Kuvendin Kombëtar të PD? Kandidati për kryetar i selisë blu, Edvin Kulluri thotë se nuk ka më vend për teatër politik. Sa i përket gjuhës së shantazhit ndërmjet palëve, për të i vetmi akt i pastër në politikë ose e vetmja veprimtari e qartë politike në PD në 4 vitet e gjysmë të fundit është ajo e grupit kritik të PD.
”Kuvendi do të nxjerrë përgjegjësinë e humbjeve të njëpasnjëshme, shkeljes së statutit dhe të gjitha principeve të tjera për të cilat unë me disa kolegë mund të kemi 4 vjet e gjysmë që e luftojmë. Kemi ndërmarrë dhe akte e kemi dhënë dorëheqjen nga Këshilli Kombëtar. Unë mendoj që e tërë trupa nuk shkon për të zgjedhur një kryetar.
Më datën 11 Dhjetor, do shkojnë të gjithë ata që duan të ç’bëjnë atë parti që në fakt është ç’bërë nga Lulzim Basha. Jo vetëm kaq, por aty nuk ka një person, do të ketë 4000 e ca njerëz, mendje e vullnete të cilët do të jenë të ndarë edhe në grupe të tjera. Ndarja e parë, deri më 11, të gjithë kanë një qëllim.
Pyetja e dytë, nëse është votëbesim për Berishën apo jo, duhet parë po të ketë garë. Kjo është një sfidë që demokratët e kanë me të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Nuk jam i sigurt nëse ajo sallë ka një qëllim unanim për çështjen e kryetarit të partisë dhe forumeve të reja që do të dalin pas datës 11. Më duket i pavend konstatimi që ky Kuvend është për të emëruar një kryetar tjetër. Është jashtë axhendës së Kuvendit.
Berisha ka shfaqur ambicien për të qenë kryetar i PD. Vullneti i demokratëve se kush do të jetë kryetar është çështje tjetër. Mund të fitojë, të humbë, të fitojë thellë ose të humbë me një votë. Nuk ka më kohë për teatër në PD. Kjo është çështja. Ne nuk jemi teatër, jemi tek muaji i tretë i shkrimeve kritike për teatrin që ka ndodhur katër vjet e gjysmë në parti”,-tha në Top Channel.