Kr*met zgjedhore, Dumani nis hetimet për fondet e qeverisë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar planin e masave për të garantuar integritetin e zgjedhjeve të 11 majit 2025. SPAK beson se do të parandalojë dhe hetojë krimet zgjedhore, duke përfshirë korrupsionin, përdorimin e aseteve publike në zgjedhje dhe ndërhyrjen e grupeve kriminale në proceset zgjedhore. Në krye të kësaj strukture të re do të jetë vetë Altin Dumani dhe parashikohet të hetohen edhe përdorimi i parave publike gjatë periudhës zgjedhore.

”Grupet hetimore në terren do të kenë në përbërje prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë dhe staf administrativ mbështetës, të ndarë sipas 12 Qarqeve dhe 61 Bashkive. Ata do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor”, lexohet në njoftimin e SPAK-ut. Dumani nuk do të jetë i vetëm në këtë betejë pasi parashikohet bashkëpunimi me një sërë institucionesh publike.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do të fusë në sitë edhe paratë e qeverisë nga tani e deri në 11 maj, ku një grup pune i përbërë nga hetues financiarë do të monitorojë përdorimin e buxhetit publik dhe investimet gjatë periudhës zgjedhore: ”Çdo shkelje e rregullave financiare do të ndiqet me ashpërsi, duke garantuar që burimet publike të mos shpërdorohen për qëllime zgjedhore. Denoncimet e dokumentuara dhe të bazuara në prova janë thelbësore për të zbuluar dhe ndjekur penalisht çdo akt kriminal që cenon integritetin e zgjedhjeve”.

Beteja kundër krimeve elektorale duhet të jetë gjithëpërfshirëse, dhe SPAK fton që pjesë të bëhen qytetarët duke ngritur një platformë denoncimesh. ”Informacionet e marra nëpërmjet kësaj platforme konsiderohen të natyrës informuese. Ndërkohë kallëzime penale do konsiderohen vetëm ato që depozitohen në prokurori në formë të shkruar dhe në formë të rregullt procedurale. Prokurorët detyrohen që të marrin vendime dhe të njoftojnë kallëzuesin vetëm për këto kallëzime penale”.

SHKARKO APP