Kryebashkiaku i Mallakastrës flet për dënimin në Greqi: Nuk kam pasur dijeni se do e kisha deklaruar
Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj i është përgjigjur sërish akuzave të Partisë Demokratike e cila ka publikuar ditën e sotme një dokument për të cilin pretendon se është dëshmia e penalitetit ku Qerimaj rezulton se është dënuar në mungesë nga drejtësia greke më datë 25 Shkurt të vitit 2000 me 3 vite burg për plagosje, ngjarje e ndodhur në 1999.
Ismailaj thotë se nuk ka pasur dijeni lidhur me shkresat e paraqitura ditën e sotme nga PD, ndërsa shprehet se po të kishte dijeni do i kishte deklaruar sepse kjo sipas tij nuk do e kishte penguar të kandidoni për kryebashkiak. Ai thotë se në periudhën kur pretendohet se ka dalë ky vendim ai ka qenë dyke punuar si mësues në një shkollë në Corrush, ndërsa shpreh bindjen se e vërteta dhe e ndershmëria do të triumfojë mbi gënjeshtrën.
“Pershendetje dhe njehere te gjitheve!
Do te doja qe perseri te sqaroja opinionin lidhur me deklaratat e bera nga ana e Pd diten e sotme:
1- Theksoj perseri se per kohen qe kam jetuar dhe punuar si emigrant ekonomik ne Greqi nuk jam arrestuar, ndaluar apo deportuar asnjehere nga policia greke!
2- Lidhur me shkresat e paraqitura sot nuk kam patur dijeni sepse po te kisha, fare thjesht do ti deklaroja ne formularin e dekriminalizimit, pasi vepra dhe koha per te cilen presupozohet te jem i denuar nuk eshte ne kushtet qe te me pengonte kandidimin apo ushtrimin e detyres dhe per kete qellim do te ndjek cdo rruge ligjore per zbardhjen e te vertetes si ketu ashtu dhe ne Greqi!
3- Lidhur me pretendimin se nuk eshte kryer denimi i presupozuar pasi nuk me kane gjetur, theksoj se kam udhetuar me dhjetra here ne Greqi dhe jo vetem dhe asnjehere ne asnje pike kufitare nuk me eshte refuzuar hyrja apo per me teper qe te jem ndaluar!
4- Ne periudhen kur ka dale ky i ashtequajtur vendim kam punuar mesues ne shkollen “I.Shehu” Corrush si dhe ne 12 tetor 2000 jam zgjedhur kryetar i komunes Kute.
5- Perbuz me neveri cdo etiketim te bere nga ana e pd ndaj meje, pasi nuk kam kryer asnje veprimtari te jashteligjshme ( por mund te me kene ngaterruar me personazhet kriminele, hajdute apo trafikante qe mund ti kete patur apo mund ti kete akoma ne gjirin e saj)!
Se fundmi jam i bindur se e verteta dhe ndershmeria do te triumfoje mbi genjeshtren, hajduterine, trafikantet apo mashtruesit!
Ju falemderit dhe klm!”, përfundon Ismailaj.
Partia Demokratike ka publikuar një dokument ku pretendon se është dëshmia e penalitetit të kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj, ku rezulton se është dënuar në mungesë nga drejtësia greke më datë 25 Shkurt të vitit 2000 me 3 vite burg për plagosje, ngjarje e ndodhur në 1999.
Sipas dokumentit Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000, i dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin.