Kryebashkiaku i Prishtinës trazon Kinën. Taipei gati ftesën për Erion Veliaj.
Kjo vizitë e Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut, mund të konsiderohet edhe një gabim trashanik diplomatik, thone burimet.Tajvani e njeh Kosovën si shtet, por Kosova nuk e njeh atë, sepse shtetësia e Tajvanit tash e shumë dekada është e kontestuar ndërkombëtarisht.
E kundërshtuesit më të mëdhenj të pavarësisë së Tajvanit janë përkrahësit më të mëdhenj të Pavarësisë së Kosovës. SHBA-të, Gjermania, Franca, Austria, Australia dhe shumë shtete tjera të botës nuk e njohin shtetësinë e Tajvanit dhe e mbështesin politikën “Kina unike”.
“Vizita në Tajvan në kohën kur Kosova ka aplikuar në disa organizata ndërkombëtare, dëmton diplomacinë që është duke punuar që të mbajë Kinën në pozicion neutral dhe t’i forcojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike”, thotë një diplomat i huaj, që po merret edhe me marrëdhëniet me Azi dhe Oqeani, shkruan lajmi.net.
Në vitet e fundit, sipas tij, Kina është bërë partneri tregtar kryesor i Kosovës në Azi dhe ajo ka pranuar pasaportat e Kosovës, si dhe nuk ka lobuar kundër shtetit të Kosovës në botë. Sipas këtij burimi, vizitat e zyrtareve kosovarë, sidomos të një niveli kaq të lartë në Tajvan, siç është i pari i kryeqytetit, paraqesin provokim për Kinën dhe mund të ndikojnë në politikën e saj ndaj Kosovës. Kina dhe Tajvani janë dy shtete kineze që nuk njohin pushtetin e njëra tjetrës, ndonëse kompanitë tajvaneze kanë investuar në Kinë mbi 77 miliardë dollarë.
Shteti i Vatikanit ka marrëdhënie diplomatike me Tajvanin, por jo me Kinën. Pekini ka si kusht për Vatikanin që heq marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin.
Dikur edhe Edi Rama në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës në vitin 2001 u bë gati për një vizitë zyrtare në Taipei, kryeqyteti i Tajvanit për të marrë 76 milionë dollarë për investimet në kryeqytet, porse në momentin e fundit e anulloi.
Ndërkohë mësohet se një ftesë 120 milionë dollarëshe po vjen në drejtim të Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës për investimet në Tiranë.
KOHA JONË SONDAZH

