Kryebashkiaku Veliaj pret, imazhin e Shqipërisë moderne, sopranon Ermonela Jaho

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka pritur në zyrën e tij sopranon shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho.

“I nderuar të pres në Tiranën tonë, Ermonela Jahon, ambasadoren tonë, imazhin e Shqipërisë moderne, e cila na nderon sot me praninë e saj në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Për të gjithë artdashësit që nuk gjetën bileta, do të ngremë një skenë jashtë me ekran të madh për të përjetuar emocionet e performancës së saj.”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim artisten shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, pak orë para se ajo të ngjitet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit për të performuar për publikun shqiptar. Duke i dhuruar Kullën e Sahatit të Tiranës, Veliaj tha se ajo kullë mbart simbolikën se është gjithmonë koha për t’u kthyer në shtëpi, si dhe e ftoi artisten të bëhet pjesë e aktiviteteve kulturore që do të kulmojnë vitin e ardhshëm, kur Tirana mban titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.

“Ne të jemi shumë mirënjohës për kontributin tënd. Ti je një ambasadore për vendin, imazh i Shqipërisë moderne, i Shqipërisë që punon, i Shqipërisë së mirë, i Shqipërisë së mbarë, i Shqipërisë që beson te talenti, te djersa, te puna. Dua që me këtë simbolikë të vogël të Sahatit, i cili do të të tregojë gjithmonë orën e saktë të Tiranës, t’i thuash vetes se ndoshta është gjithmonëkoha për t’u kthyer te zemra jote, të shtëpia jote. Por, edhe për të të kujtuar se vitin tjetër ne do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, ndaj nëse ke miq, dashamirës, partnerë, që do dëshiroje t’i ftoje për të bërë gjëra të bukura në Tiranë, ne jemi të lumtur të të ndihmojmë”, u shpreh Veliaj.

Ai dha edhe lajmin e mirë për të gjithë dashamirësit e artistes, që nuk kanë mundur të gjejnë bileta për koncertin e saj. Veliaj njoftoi se në ambientet e jashtme të Teatrit të Operas dhe Baletit do të ngrihet një skenë me një ekran të madh dhe vende për t’u ulur, për të përjetuar drejtpërdrejtë emocionet e performancës së Ermonela Jahos.

“Për të gjithë ata që ndoshta pezmatohen që koncerti sot në darkë është i shitur, ne kemi një lajm të mirë: Do të vendosim një skenë jashtë, me një ekran të madh dhe karrige, për të gjithë ata artdashës që do të donin të shijonin qoftë edhe nga jashtë, atë mrekulli që do të na dhurojë në Teatrin e Operas së Baletit, e dashura jonë, zemra jonë, Ermonela Jaho”, tha ai.

Artistja shqiptare falenderoi kryebashkiakun për vlerësimin. “Faleminderit! Është një ndër dhuratat më të bukura. Duke kënduar në Shqipëri, në mëmëdheun tim, në këtë teatër ku unë u rrita, ku filloi ëndrra ime, u bëra kjo që jam sot, ndaj këtij vendi, jo vetëm këtij teatri, dua t’i kthej pakëz dashuri dhe pakëz mirënjohje nga dashuria dhe mirënjohja që më ka dhënë ky vend dhe çdo zemër shqiptare”, u shpreh ajo.

SHKARKO APP