Kryediplomati grek: S’jemi në luftë, të shohim nga e ardhmja
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, tha se Greqia dhe Shqipëria duhet të zgjidhin problemet që kanë dhe të merren me të ardhmen.
“Kjo është filozofia jonë e përbashkët, duhet t’i zgjidhim problemet ekzistuese dhe të merremi me projekte të mëdha të së ardhmes”, tha Kotzias.
“Kemi detyrime për popujt tanë, por edhe për gjithë rajonin. Duhet të zhvillojmë energjinë, të bashkëpunojmë në fushat e kulturës e arsimit dhe në shumë çështje të tjera. Këto çështje duhet të promovohen e të ecim para në mënyrë kreative, me dialog e konsensus”, shtoi gjithashtu ai.
Kotzias foli edhe për përkrahjen e Greqisë për përfshirjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Greqia është ndër anëtaret më të vjetra të Bashkimit Evropian, ka përvojë dhe do të jetë përkrah Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropiane”, tha ministri i jashtëm grek.
Sa i përket ekzistencës së Ligjit të Luftës, ai pohoi se “Marrëveshja e miqësisë në 1996 mes dy vendeve është tregues tjetër që nuk jemi në luftë”. Dhe se “pjesëmarrja në NATO na bën jo vetëm miq, por edhe partnerë. “Nëse Shqipëria ka dyshime, do të gjejmë një zgjidhje të kënaqshme”, apeloi ai.
Kurse sa i përket çështjes çame, sipas Kotzias, është e ditur që kemi një numër shumë të lartë çamësh që jetojnë në Greqi dhe uroj që të përfitojnë nga anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
Por nuk harroi të pohonte nga Tirana se ka edhe disa çamë që kanë bashkëpunuar me pushtuesin gjerman, duke marrë pjesë në komisionet e kontrollit dhe që punuan për plaçkitje dhe krime.
“Duhet të kemi kujdes kur flasim për këta çamë se nuk nënkuptojmë asnjë grup shqiptarësh, veçanërisht nuk nënkuptojmë Shqipërinë. E them disa sepse disa duan të barazojnë bashkëpunëtorët e gjermanëve me shqiptarët që jetonin në Shqipëri”, tha Nikos Kotzias.
KOHA JONË SONDAZH

