Kryemadhi: 2019-ta, viti i kapjes së shtetit, abuzuesit do të dalin para drejtësisë

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ne nje interviste per Fax News deklaroi se 2019-ta, ishte viti i kapjes së shtetit, teksa theksoi se abuzuesit do të dalin para drejtësisë.

Çfarë fitoi dhe çfarë humbi në politikën e ndjekur opozita këtë vit?

Jeni gazetarja e parë që thoni që 2019 ishte një nga vitet e egra të opozitës dhe kjo është e vërtetë, pavarësisht se pjesa më e madhe e gazetarëve kërkojë që të nxjerrin lajm apo një pjesë e stabilokratëve mendojnë që opozita ka bërë një opozitë sipërfaqësore. 2019 ka qenë një vit shumë i vështirë për shqiptarët. Është një vit që shqiptarët kanë qenë të varfër, kanë qenë më të censuruar, më të kërcënuar nga sistemi autokratik që ka ngritur rilindja. Përveç kësaj në anën tjetër 2019, siç ka një zhveshje të mbulesës së kalbëzimit të shtetit, u ç’bë kjo. Largimi i opozitës nga Parlamenti dhe bojkoti i votimeve të 30 qershorit, theu atë lëvoren e një veze të kalbëzuar, e cila brenda kishte një vezë të prishur, por që në fakt në pamje të jashtme nuk dukej. Tashmë ka shpërthyer dhe kundërmon me erën e saj të prishjes së sistemit. 2019 ka qenë një vit shumë problematik, sepse kemi një cedim të të gjithë hallkave të shtetit, kemi një uzurpim të strukturave të shtetit, kemi kapje të shtetit nga një grup njerëzish me një krye një kryeministër që tenton të kapi reformën në drejtës, tenton të kapi sigurinë, ekonominë, etj. Tashmë edhe atë që deri dje deklaratat e opozitës ishin si deklarata retorike ose narrativë politike, sot tashmë ato janë më se të vërteta dhe mjafton të kapësh një qytetar të thjeshtë. Sot nuk ke më një diferencë mes një politikani, një qytetari, artisti, një mjeku, një mësuesi, nxënësi, një të papuni, një pensionisti. Të gjitha deklaratat konkludojnë në një pikë, sepse ajo ç’ka të bën përshtypje, i gjithëanshmi kryeministri ynë, tashmë Lideri Suprem që bën edhe ekonomistin, edhe doktorin, edhe inxhinierin, edhe priftin, edhe hoxhën, edhe artistin, të bëjë edhe këngëtarin, edhe regjizorin, edhe diplomatin. Pra njerëzit tashmë kuptojnë se çfarë kemi bërë. Por reflektimi është që e gjithë kjo situatë vjen për shkak të votës që ne i kemi dhënë këtij njeriu, për shkak të indiferencës që i kemi bërë këtij njeriu kur ai kapte institucionet një nga një, kur censuronte njerëzit apo mediat një nga një. Diku kemi bërë sikur nuk e kemi parë, diku kemi qenë indiferentë, diku na ka pëlqyer. Dhe sot ja ku jemi, aty ku i gjithë shteti, e gjithë struktura, i gjithë mekanizmi jetësor i një vendi siç është Shqipëria është në duart e një njeriu me probleme.

2019-tën po e mbyllni pa asnjë mandat, ndërkohë që vendin tuaj e zunë deputetët që dolën nga listat shumë emërore të partive opozitare, çka duhet thënë që në shumicën e rasteve, për të mos thënë gati gjithmonë kanë dalë në krah të mazhorancës për të kaluar një sërë projekt ligjesh apo PPP korruptive. A mendoni se opozita është në luftë me kohën dhe është emergjente rikthemi në parlament pasi edhe një tjetër vit pa fuqi bllokuese apo vendimmarrëse do të ishte fatale për opozitën dhe shumë në favor të Kryeministrit Rama?

Kush mendon që nuk do paguajë për krimet e veta e ka shumë gabim, të gjithë do të paguajmë një ditë. Të gjithë do të dalim para drejtësisë, jo vetëm para drejtësisë ligjore dhe njerëzore por edhe përpara drejtësisë hyjnore. Për drejtësinë hyjnore nuk kam të drejtë të flas sepse është tjetër forcë që merret me të, por për drejtësinë ligjore të jeni të bindur që të gjithë do të përballen një ditë. Të gjithë që janë aty janë të paligjshëm që kanë hyrë, sepse është shkelur i gjithë procesi i futjes së tyre në Parlament por përveç kësaj, shantazhimet dhe dosjet me të cilët ata janë shantazhuar dhe janë kërcënuar apo janë joshur për të hyrë brenda sigurisht që jo vetëm do të zhbëhen por do të dalin përpara drejtësisë.

Keni kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe duket pak e vështirë në fakt që të bini në dakordësi me Kryeministrin Rama, a do të përdorni Gjykatën Kushtetuese, do të ankimoni mandatet?


Nuk është se kemi kërkuar ne zgjedhje të parakohshme, ne kemi kërkuar që në momentin që dogjëm mandatet sepse kishim një Parlament prodhuar me deputetë që vinin si rezultat i votave të blera nëpërmjet bandave dhe krimit të organizuar. Zgjedhjet e parakohshme ja ka kërkuar Bashkimi Europian, ja ka kërkuar Bundestagu gjerman pra 9 kushtet e Bundestagut janë shumë të qarta ku kërkojnë miratimin e reformës zgjedhore dhe implementimin e saj që do të thotë zgjedhje. Kështu që kjo është shumë e thjeshtë, nuk është tashmë zgjedhjet e parakohshme një kërkesë e opozitës. Rama po kërkon t’i spostojë dhe po të shikoni tërheqja e vëmendjes me gjendjen e jashtëzakonshme, sepse ajo që të bën përshtypje që në fakt rrallë herë kapet. Ne kemi krijimin e një Ministrie Rindërtimi dhe ndërkohë kemi dhe një zvarritje, zgjatje të gjendjes së jashtëzakonshme. Ose gjendjen e jashtëzakonshme ose Ministrinë e Rindërtimin nuk mund t’i bësh dot të dyja, por ne i kemi të dyja. Kemi debatin që është i hapur tashmë për mini-shengenin. Një debat për të cilin ai është i gatshëm t’ja dhuroj Shqipërinë, Serbisë siç është, si llokum. Vetëm e vetëm që të mos flitet më për zgjedhjet e parakohshme, vetëm e vetëm që të mos flitet më për dështimet e Ramës që ka mbi kurrizin e tij. Ajo që themi ne dhe që është e domosdoshme, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme për Partinë Socialiste jo për opozitën. Opozita është në një komoditet të jashtëzakonshëm, ndryshe nga herët e tjera sepse nuk është palë. Nuk është palë e një Parlamenti të cilin, që mund të ishim në Parlament ju besoj se e dini që ai kishte 74 vota, 78 ja dhe dy tre që mund t’i blente siç ndodh gjithmonë. Ja 81, 82 dhe cili do të ishte roli i opozitës nëse në Parlament ne do të vazhdonim të gjuanim me këpucë, të gjuanim me vezë, të gjuanim me bojë, të bënim amendamente, të propozonim ligje, të propozonim ndryshime kushtetuese, të propozonim gjëra pafundësisht që i kemi propozuar në dy vitet e para dhe arroganca po themi dhe shkelja pa asnjë lloj ndërgjegje nga mazhoranca ishin të jashtëzakonshëm. Mjafton të kujtojmë Prokurorin e Përkohshëm që u zgjodh me 69 vota ku në Kushtetutë nuk ka Prokurorë të Përkohshëm por edhe sikur duhet me 84 vota. Ai e zgjodhi me 69 edhe mori vetëm një letër rekomandimi nga Romana Vlahutin. Pra Romana Vlahutin ishte më e madhe se Kushtetuta e shqiptare, ishte më e madhe se Gjykata Kushtetuese, ishte më e madhe se Parlamenti, ishte më e madhe se çdo gjë tjetër, e para. E dyta propozimi i LSI dhe që kemi bërë bashke me ICITAP-in dhe Ambasadën Amerikane për ligjin e Vettingut në polici në qoftë se e mbani mend. U bënë 29 amendamente të cilat u pranuan politikisht, u miratuan për momentin dhe pas 2 ose 3 muajsh i rikthyen edhe një here prapa dhe i anuluan të gjitha. Pra janë disa gjëra që qëndrimi i opozitës në Parlament do të ishte thjeshtë një rrogë për deputetët edhe ndonjë qokë midis njëri tjetrit, dikujt ndonjë vëlla ose kunat në magjistraturë, dikujt ndonjë burrë ose grua në një administratë shtetërore e kështu me radhë. Kështu që pozicionimi I daljes së opozitës në rrugë dhe unifikimi I saj me qytetarët, krijoi kartën e moralit të opozitës, sigurisht që ne nuk jemi perfekt, sigurisht që ne kemi problemet tona përsa i përket organizimit të cilat do t’i rregullojmë gjatë rrugës sepse mos të harrojmë që kemi një opozitë që është përballë një strukture kriminale të organizuar ndërkombëtare. Pra nuk është thjeshtë një Edi Ramë që përfaqëson një grup rilindasish që vijnë nga disa NGO, por është një strukturë kriminale e cila paguhet me paratë e drogës, trafikut të drogës, trafikut të armëve, terrorizmit e shumë e shumë aspekte të tjera dhe pas tij, që mjafton të shikojmë propozimet e fundit të Mini-Shengenit, shikojmë që është edhe një strukturë anti-shqiptare e cila me shekuj të tërë është munduar për të eleminuar dhe për të ekskluduar në rajonet e veta Shqipërinë por që tashmë është shumë më e fuqishme financiarisht, shumë më e fuqishme ndërkombëtarisht dhe shumë më e fuqishme dhe e organizuar edhe në aspektin diplomatik. Kështu që përballja e opozitës dhe e shqiptarëve të ndershëm përballë Ramës dhe klanit të tij është një nga përballjet më të mëdha që mund të ketë pasur ndonjëherë Shqipëria në të gjithë historinë e shtetit të saj. Jo të 100 vjeçarit por edhe të kohës së Skënderbeut. Mos të harrojmë që është po e njëjta betejë për ruajtjen e një lloji identiteti dhe integriteti shqiptar, e njëjta betejë për ruajtjen e etnisë dhe tradicionalitetit shqiptar por edhe të flamurit mos të harrojmë.

Pra nëse Gjykata Kushtetuese do e quante nul djegien e mandateve, në këto kushte sërish opozita nuk do të kthehej në Parlament?

Jo do të fillojë procedurën nga fillimi sepse asnjëri nga gazetarët dhe nga mediat nuk është marrë. A e dini ju që deri sot Parlamentit duhej t’i ishin ndërruar vetëm 9 deputetë nga 182?

Ka një problem në procedurë?

Sigurisht. Sepse Komisioni i Verifikimit të Mandateve, mazhoranca i kishte, 74 vota që të shkarkonte Z. Viktor Tusha apo Z. Oerd Bylykbashi dhe të emëronte Rudina Hajdarin, të emëronte Lefter Kokën, të emëronte Z. Murrizi, të cilët ishin nga të njëjtat parti politike që mund të ishin anëtarë të këtij komisioni dhe duhej të thërrisnin deputetët një nga një dhe çdo deputet digjej në 30 ditë. Pra, digjej deputeti i parë i listës së parë të Shkodrës, kalonte një muaj dhe pastaj digjej deputeti i dytë e kështu me radhë. Kështu që edhe e dëmtonte opozitën Z. Rama por sigurisht nuk donte ta dëmtonte opozitën sepse kishte halle të tjera. Të gjitha ligjet dhe projektligjet që janë kaluar janë nul. Sado që të kenë efekte të tjera, kështu që çdo koncension, ligjit i teatrit, ligji për dividentin, të gjitha gjërat e tjera janë ligje të cilat janë nul dhe do të rikthehen prapa në Parlamentin tjetër.

Gjykata Kushtetuese tregoi edhe njëherë krizën institucionale, Presidenti refuzoi të betonte Arta Vorpsin nga ana tjetër është ngritur një padi për Kryetarin e KED-së, Kuvendi nga ana tjetër ka një komision hetimor ku ka bashkuar dy çështje për shkarkimin e Presidentit. A mendoni se Presidenti ka gabuar diku apo mund të themi që u bën opozitë ndoshta edhe më të fortë se ju?

Jo, Presidentin kam përshtypjen se ka filluar ta vrasë ndërgjegjja për modestinë e tepruar që ka treguar ndaj Z. Rama, duke i lënë atij që të kapte Reformën në Drejtësi dhe sot e kuptoi se çfarë plani ka pasur që në momentin që ka filluar historia, që kur ishte kryetar parlamenti dhe duhej që ta drejtonte reformën në drejtësi por modestia e tepruar që kur përjashtoi Ministrinë e Drejtësisë që duhet të ishte dhe ajo pjesë e hartimit të reformës jo sepse e drejtonte LSI sepse LSI nuk është marrë asnjëherë dhe nuk ka propozuar asnjëherë, nuk do të thotë që është jashtë atij dhe kur u kujtuan pastaj e kishin shumë më të vështirë që kur lejuan që ekspertja numër një për reformën në drejtësi ishte Romana Vlahutin dhe me thënë të drejtën ne të gjithë e dimë që ajo është eksperte për gjëra të tjera dhe vetëm për reformën në drejtësi nuk është. Tjetra që dua të them është se unë nuk kam asnjë lloj dyshimi për Dvoranin që Dvorani ka bërë lojën e Ëngjëll Agaçit, nuk mendoj që është zoti Rama në këtë lojë, zoti Rama nuk e kupton fare se çfarë ka ndodhur, mendoj që është zoti Ëngjëll Agaçi dhe e gjithë beteja për Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë për kontrollin e shtetit dhe kontrollin e bandave dhe krimit të organizuar në Gjykatën Kushtetuese sepse Gjykata Kushtetuese tashmë do të ketë një rol tjetër me reformën në drejtësi por zoti Rama është peng i zotit Agaçi dhe zoti Agaçi si një avokat i shquar i shumë grupeve kriminale në Itali të cilat po fitojnë dhe po gjejnë shtrirje në biznesin e vogël shqiptar dhe besoj se është një nga elementët kryesorë i cili i shërben kapjes së reformës në Shqipëri nga grupet kriminale.

Në fakt fundviti na gjeti dhe me ngritjen e SPAK-ut, a keni besim që këta prokurorë kanë integritetin e duhur për të hetuar zyrtarë të korruptuar ndoshta kryeministrin, presidentin apo dhe kryetarë të partive?

Ajo që mendoj unë është se sistemi i bën individët që edhe po mos të kenë integritet të zbatojnë ligjin dhe gjykatësi më i mirë është populli, është opinioni publik që i gjykon njerëzit edhe pse me perceptim dhe herë pas here dhe me propagandë të madhe por ajo që dua të theksoj është se unë shpresoj që insititucioni i SPAK-ut të krijojë një hapje po themi ose një ringjallje të besimit, sepse të mos harrojmë që shqiptarët kur u miratua reforma në drejtësi, 90% e tyre prisnin vendosjen e drejtësisë. Por sot janë më të zhgënjyerit dhe vetë ato institucione që kanë bërë sondazhe para reformës në drejtësi dhe tashmë janë ato që e kanë hedhur poshtë dhe thonë që njerëzit nuk besojnë më te reforma në drejtësi. SPAK-u ka për detyrë që t’u japë zgjidhje dosjeve që rrinë dhe flenë në Prokurori, duke filluar që nga dosjet e koncesioneve mendoj që janë shumë të rëndësishme, apo edhe ato korruptive të shumë shtetarëve. Mendoj që në momentin që SPAK-u do të bëhet pjesë e jetës politike, sigurisht që besimi për ta do të bëhet zero. Unë nuk mendoj që ky institucion do të ngatërrohet, sepse do t’iu kushtojë vetë atyre më shumë se kujtdo tjetër. Por ajo që mendoj është që qytetarët shqiptarë mendojnë që nëpërmjet këtij institucioni të lulëzojë ekonomia shqiptare, shkollat, arsimi e kështu më radhë. Besoj që do të bëjnë diçka, në radhë të parë për veten dhe integritetin e tyre, sepse mendoj që subkoshienca menjëherë del shumë më lart sesa ajo që mund të themi e momentit. Sepse çdo njeri dhe prokuror që është aty do të ketë shumë dëshirë që të eci përpara në karrierën e tij, të jetë i pranueshëm dhe i pëlqyeshëm nga opinioni publik, në kuptimin e sjelljes së tij ligjore dhe korrekte. Nuk mendoj që secili nga ata do t’u shërbejë partive politike, sepse partitë politike ikin dhe vijnë, politikanët e kanë shansin për t’u konsumuar shumë më shpejt sesa një prokuror dhe një gjyqtar. Dhe të mos harrojmë që është një proces që dashje pa dashje politika ka marrë në qafë shumë prokurorë dhe shumë gjyqtarë që sot për hir të së vërtetës përballen me probleme të së shkuarës së tyre.

Përmendët pak më parë Mini Shengenin, çfarë rrezikon Shqipëria nga kjo marrëveshje dhe çfarë përfitimi mund të ketë? A mund të themi që duke përdorur Serbinë si një urë lidhëse do të rritet ndikimi rus këtu, pasi shpesh mazhoranca ka akuzuar sidomos Partinë Demokratike, për një lobim rus?

Po është ajo që thotë: Ujku ujku dhe çakalli bën kërdinë, kot nuk është kjo batuta. Unë kam qenë thuajse një nga politikanet e para që ka folur për Mini Shengenin, të gjithë të tjerët e shikonin si një propagandë të Ramës. Kam bërë një status shumë të gjatë dhe në fakt e bëra në mënyrë të tillë që të perceptohej, para se të fillonte takimi i Mini Shengenit, ku kërkoja një transparencë. Çfarë do të thotë? Cilat janë humbjet dhe përfitimet që ka Shqipëria nga Mini Shengeni? Dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë lloj transparence nga qeveria shqiptare. Nuk pres që të jenë serbët dhe maqedonasit transparent me Shqipërinë, por pres që të jetë qeveria ime transparente. Kjo ishte e para. E dyta përjashtimi i Kosovës në një projekt të tillë, nuk ka se çfarë prioritetesh t’i japë Shqipërisë se në fund të fundit prioritetet tona janë shumë të qarta dhe shumë të pastra në këtë histori. Sigurisht që duam apo s’duam, qoftë Kosova, Shqipëria, Maqedonia apo Mali i Zi, jemi të detyruar të bashkëpunojmë me njëri tjetrin, sepse jemi vende të Rajonit dhe Shqipëria gjithmonë ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit. Por qeveria aktuale për hir të së vërtetës, në 3-4 vitet e fundit ka prodhuar vetëm konflikte, nuk ka prodhuar stabilitet, por ka qenë faktor destabiliteti. Dhe unë mendoj që qarqet anti shqiptare, jo populli serb, jo institucionet e vërteta serbe, por qarqe anti-shqiptare që kërkojnë të rrisin prezencën e tyre në rajon nëpërmjet shumë projekteve të tjera ekonomike apo edhe politike, përfitojnë nga një çartisje e momentit e qeverisë shqiptare, përfitojnë nga një kapje e momentit e qeverisë shqiptare nga segmente të caktuara dhe mund ta përdorin si një karrem qeverinë shqiptare, flamurin shqiptar dhe institucionet shqiptare për të prodhuar projekte të tilla që nuk të çojnë asgjëkund.  Çështja e Mini Shengenit ka ardhur si një rezultat i procesit të Berlinit, por procesi i Berlinit nuk është Mini Shengeni. Procesi i Berlinit është përfshirje dhe integrim rajonal i të gjitha vendeve pa dallime, duke njohur njëri tjetrin me reciprocitet. Ashtu sikurse ne kemi me Kosovën, me Malin e Zi, me Serbinë, të njëjtën gjë duhet të ketë Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia me Kosovën apo anasjelltas. Ky është procesi i Berlinit, Mini Shengeni nuk është procesi i Berlinit. Mini Shengeni është po një projekt, i cili unë mendoj që klouni ynë kryeministër e përdor shumë bukur për të qeshur dhe gajasur sadopak disa qarqe anti-shqiptare, por që ne shqiptarët nuk gajasemi, por dëshpërohemi. Sepse të përdorësh institucionin e kryeministrit shqiptar, që nuk është i Edi Ramës, por kryeministri shqiptar është institucion i shqiptarëve. Është fytyra, identiteti dhe integriteti i çdo shqiptari. Ta përdorë një shtet tjetër për të krijuar benefite të tjera është dhimbje e madhe. Megjithatë koha do t’i tregojë vendin çdo njeriu dhe çdo njeri i cili ka cënuar qoftë moralin apo integritetin e vendit, sigurisht që do të përballet një ditë me shpagimin.

Një nga kushtet e Bundestagut është edhe reforma zgjedhore, për të cilën opozita ka deklaruar që në janar do të jetë gati drafti. A mendoni se duhet një ndryshim sistemi, listat e hapura mund të ndikojnë pozitivisht në demokratizimin e partive apo edhe në një Parlament më kualitativ?

Kjo është pas 11 viteve, ajo që ne kemi kërkuar si LSI. Ne e kemi kërkuar që në grevën e urisë të 2008, bashkë me një grup deputetësh që kanë qenë. Bënim protesta nga dy herë në ditë, për 9 ditë rresht, në mëngjes dhe në darkë. Dhe ajo që mund të them është që sigurisht që listat e hapura janë një demokraci në jetën politike. Por duhet të kemi një gjë parasysh, që në këtë tryezë duhet të përfshihen të gjitha grupet e interesit, të gjitha palët, përfshirë këtu, pavarësisht pozicionimeve politike që kemi, ajo që mendoj unë është që sot ne e kemi të domosdoshme të rindërtojmë, forcën, urat e besimit me njëri-tjetrin sepse sot çfarë do lloj sistemi që të bëjmë ne, kudo të shkosh, kudo të votosh do të të numërojnë grupet kriminale me paratë e drogës. Me këtë sistem e bëmë ne kalimin demokratik. Në këtë sistem a ikëm ne në 2013 nga PD te PS kur mori pushtetin? Nuk të ndalon ligji që të shkosh të votosh. Ne p.sh në parti do t’i bëjmë me demokraci do të vendosë partia listën dhe rënditjen e deputetëve. Si mund të pretendosh ti, kur ti nuk fiton dot dhe nuk ndërton dot demokracinë brenda partisë tënde, do ndërtosh demokracinë në popull? Kur nuk fiton dot brenda partisë tënde do fitosh në popull. Pra një deputet nëse nuk është i zoti të fitojë brenda partisë për t’u renditur i pari, i dyti apo i treti në listë si mund të fitojë kur del në opinionin publik. Duhet të demokratizojmë partitë tona në radhë të parë. Nëse ne nuk mund të demokratizojmë partitë tona nuk mund të kemi demokratizim të sistemit. Është betejë e vështirë sepse ne vazhdojmë akoma të jemi në tranzicion. Kur po mendonim se do dilnim nga tranzicioni jo vetëm që u rikthyem nga fillimi i tranzicionit por u rikthye në diktaturë. Pra është një proces i cili do të kërkojë kohën e vet. Nëse ne do të flasim për një reformë të thellë zgjedhore, nuk bëhet në një parlament i cili është i përçudnuar. Është një parlament i cili ka 82 deputetë të ligjshëm. Nuk ka 84.

Po bëj një krahasim me Kosovën. U përshëndetën zgjedhjet në Kosovë nga gjithë forcat politike, momentalisht LDK dhe Vetëvendosja kanë rënë dakord për programin e qeverisjes por duket se ka një ngërç përsa i përket ndarjes së pushteteve. Ju keni biseduar me kreun e PD sesi do e bashkëdrejtoni vendin në një të ardhme?

E para ne kemi një marrëveshje që është nënshkruar nga të gjitha partitë politike më 23 prill të 2019. Aty janë shumë të qarta pikat e bashkëpunimit. Sigurisht që ne kemi disa pika të panegociushme për bashkëpunimin me z.Basha, të cilat kanë të bëjnë me integrimin evropian dhe vazhdimësinë e reformave të cilat e bëjnë të domosdoshme hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Më pas pastaj përsa i përket sistemit arsimor, punësimin e të rinjve, punën e mirëpaguar, shpopullimin që po ndodh edhe këto janë pika emergjente sot sepse njerëzit po largohen nga Shqipëria për shkak të mungesës së sistemit arsimor, sistemit shëndetësor dhe për shkak të mungesës së sigurisë së jetës së tyre. Këto janë tre pika për të cilat sot shqiptarët po detyrohen të largohen nga Shqipëria dhe të emigrojnë në vende të tjera. Kjo është një nga pikat që sot e vendos në rrezik ekzistencën e Shqipërisë. Ndërsa përsa i përket pyetjes tuaj për reformën zgjedhore ne kemi qenë gati që me 1 dhjetor si opozitë për reformën zgjedhore por qëlloi që ishte situata e tërmetit dhe e kemi spostuar pak në kohë. Ne jemi të gatshëm për ngritjen e një mekanizmi funksional të miratimit dhe të angazhimit të të gjitha forcave politike të përfshirjes së një tryeze politike përsa i përket reformës zgjedhore ku angazhimi dhe gjetja e mekanizmit të miratimit të kësaj reforme do të çojë drejtë zgjedhjeve të parakohshme të cilat i japin fund njëherë e përgjithmonë krizës politike që ka në Shqipëri.

Çfarë presim nga opozita në 2020?

Shumë gjëra të mira.

Denoncime, protesta?

Nuk është më çështje denoncimesh. Denoncimet ia bëjnë vetë njëri-tjetrit rilindasit. Nuk ka çfarë të denoncosh më. Tani duhet bërë denoncimi kur bëjnë ndonjë gjë të mirë po nuk ka shanse që të bëjnë ndonjë gjë të mirë. Ajo që është më e rëndësishme është që axhenda e opozitës të paktën flas 100% për LSI është një axhendë e cila do të ecë hap pas hapi sa i përket organizmit të gjithë strukturave që janë brenda opozitës dhe jashtë opozitës, për përfshirjen e shumë njerëzve të tjerë dhe instrumenteve të tjerë jashtë politikës në jetën politike sepse sot partitë politike por sidomos opozita dhe vetë PS kanë nevojë për risi të reja, njerëz të rinj, mentalitete të reja dhe për angazhimin e njerëzve të cilët edhe pse janë jashtë mund të kthehen dhe të kontribuojnë për të ndryshuar këtë realitet të hidhur. Mendoj që Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për thirrjen e hapur dhe ne si LSI kemi filluar një fushatë sensibilizuare me të gjithë njerëzit që janë përkrahës të LSI për t’u përfshirë dhe për të qenë pjesë e listave të deputetëve, pjesë e angazhimit edhe të pushtetit vendor sepse do të kemi një proces që do të kërkojë ngritjen e një sistemi të jashtëzakonshëm, që nuk kemi më nevojë për ithtarë politikë të cilët thonë “Yes Man” por kemi nevojë për njerëz të cilët janë ithtarë të sistemit, për një sistem të fortë i cili të kontribuojnë në ngritjen e bazave të forta të një shteti dhe ti japim fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit.

SHKARKO APP