Kryemadhi: 5 prioritet në programin e LSI, të realizueshme në 5 muaj, 0 kosto në buxhet

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin me banorët e Njësisë 2 në Tiranë u shpreh se 5 prioritet në programin e LSI-së që u prezantuan një ditë më parë, janë tërësisht të realizueshme në 5 muaj, dhe siç tha ajo kanë zero kosto në buxhet

“Dje bëmë prezantimin e programit të LSI-së, ku tashmë ne jemi shumë të qartë në atë që i ofrojmë qytetarëve. Nëse deri dje ishim në takime me ta për të folur dhe dëgjuar problematikat, apo edhe për të diskutuar e debatuar, sepse në fund të fundit nëse nuk diskutojmë as ne nuk e kuptojmë se çfarë ndodh, por as njerëzit nuk na kuptojnë ne. Dje kemi qenë të drejtpërdrejtë ku kemi bërë propozimet e programit, ku dua të theksoj që ne tashmë duhet ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve dhe kjo është një nga pikat tona kryesore. Sepse edhe propozimet tona kanë të bëjnë jo vetëm me problematikat dhe jetën e përditshme të tyre, por kanë të bëjnë edhe me fuqizimin ekonomik të tyre.

Ne kemi 5 propozime, të cilat do angazhohemi në 5 muajt e parë të qeverisjes. Janë 5 propozime shumë të thjeshta, që shkojnë drejtpërsëdrejti tek qytetarët. Kanë një kosto financiare 0 në buxhetin e shtetit, por përkundrazi kërkojnë një vullnet politik dhe një dëshirë të mirë nga qeverisja për t’i shërbyer qytetarëve.

Sot shqiptarët janë në një gjendje shumë më të keqe seç kanë qenë 4 vjet më parë. Sot shqiptarët paguajnë taksa shumë më shumë seç kanë paguar më parë. Mjafton që të shkosh në një familje me dy pensionistë, që fëmijët e tyre i kanë në emigracion dhe që thonë pse duhet të paguajmë taksën e arsimit. Apo pse çmimi i energjisë elektrike është i lartë, apo pse shteti nuk u jep mundësinë dhe shanset për të qenë i barabartë”, theksoi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Kryemadhi u shpreh se kthimi mbrapa i parave për 5% të faturës, jane një pagë plus për qytetarët dhe luftë ndaj informalitetit.

“Ne kemi kuptuar që informaliteti dhe mungesa e dëshirës së institucioneve të shtetit për të qenë pranë familjeve janë shumë të mëdha. Dhe mjafton që të kesh një vullnet politik për t’i shërbyer qytetarëve. Dhe një nga pikat tona kryesore është kthimi mbrapsht i 5% të faturës së shpenzimeve të qytetarëve. Çfarë do të thotë? Do të thotë që atë faturën që shqiptarët kanë jashtë enteve publike, pra po themi ushqim, veshmbathje, ilaçe, ne në fund të muajit u kthejmë atyre 5% të asaj fature të konsumimit që ata bëjnë. Pra që do të thotë në fund të vitit është një pagë më shumë në familjet e shqiptarëve, që e thënë drejtpërsëdrejti një familje mund të paguante internetin apo një pjesë të kopshtit apo çerdhes së fëmijëve.
Ndërkohë nga ana tjetër, ne do ta vazhdojmë edhe më tej zhvillimin e kësaj duke u takuar dhe duke bashkëbiseduar me njerëzit, dhe jo vetëm që do të ketë një të mirë materiale të menjëhershme në xhepin e familjeje shqiptare, por nga ana tjetër do të ketë edhe një qarkullim ekonomik brenda buxhetit, që do të thotë investim më shumë në pensione, investim më shumë në infrastrukturë, në arsim. Që edhe ata pensionistë që kanë pension, të kenë mundësinë e rritjes së tij, por edhe zhveshjen nga taksa e arsimit që i dëmton dhe rëndon ata, ashtu sikurse rrit sa më shumë jo vetëm krijimin e hapësirave të vendeve të punës, por edhe hapësirave të tjera.
Kuadri tjetër është për sa i përket arsimit, taksën 1%, e cila ka të bëjë me taksën e së ardhmes siç e kemi quajtur, që shkon nga të gjitha kompanitë e mëdha dhe shkon drejtpërsëdrejti për arsimin. Pra do të thotë infrastrukturë. Secili nga ju kur paguan dritat dhe ujin ka një taksë për arsimin. Duam apo nuk duam ne, ajo është një rëndesë në xhepin e familjeve shqiptare. Ndërkohë që në këtë mënyrë zhveshim familjet nga kjo taksë, dhe e çon drejtpërdrejtë nëpërmjet 200 kompanive më të mëdha. Ndërkohë nga ana tjetër është programi “Mëso dhe fito” për të rinjtë tanë, për ata që janë nëpër shkolla profesionale, ku bashkëpunimi midis shkollave dhe bizneseve, u krijon mundësinë studentëve dhe gjimnazistëve që njëkohësisht edhe të punojnë, por edhe të shkollohen. Ata tani jo vetëm që janë papunë edhe pse kanë mbaruar shkollat, por pse të mos punësohen gjatë kohës që janë në shkollë dhe të kenë mundësi për të sjellë një të mirë materiale në familjet e tyre”, theksoi Kryemadhi.

SHKARKO APP